Bota

Irani bllokon anijen çisternë koreano-jugore


Irani ka bllokuar një anije çisterne të Koresë së Jugut që po transportone lëndë kimike. Anija u shoqërua nga skafet e Rojeve Revolucionare Iraniane drejt Gjirit Persik.

Sipas raportimeve të Dryad Global (Agjenci e Sigurisë Ujore Nëpërmjet Inteligjencës), anija çisternë “Hankuk Chemi” po kalonte në ngushticën e Hormuz-it kur u ndal nga forcat iraniane.

Koreja e Jugut dërgoi menjëherë njësinë kundër piratimit, Cheonghae, në vendngjarje. Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Suh Wook, deklaroi se “anija ka brenda 20 persona ekuipazh, ndër të cilët pesë janë koreano jugorë”.

Ministri së bashku me Ambasadën e Koresë së Jugut në Iran, i kanë kërkuar autoriteteve të sigurojnë jetën e ekuipazhit. Gjithashtu ata kanë kërkuar lirimin e anijes sa më shpejtë nga bllokimi.

Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë bërë me dije se shkaku i ndalimit të anijes ishte ndotja që po shkaktonte në Gjirin Persik. Kjo ndotje sipas tyre ishte “si mjedisore ashtu dhe kimike”.

Edhe agjencia e Shkëmbimeve Tregtare të Mbretërisë së Bashkuar, pjesë e Marinës Mbretërore Britanike, ka qenë pjesë e ngjarjes. Sipas deklaratave nga britanikët, “pati ndërveprim midis palës iraniane dhe asaj koreano jugore”. “Forcat iraniane e shtynë anijen në ujërat territorial të Iranit”, thuhet në deklaratë.

Kjo ngjarje vjen pas deklaratave se Irani do të prodhojë uranium 20%. Tensionet midis SHBA-së dhe Iranit kanë qenë në rritje kohët e fundit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore