Lajme

Intervistë me ish-kryeinspektorin e AKI-së Burim Ramadanin: Vuçiç po luan rrezikshëm në territorin e Kosovës


“Formacionet pro-ruse që u shfaqën në Kosovë në muajin e fundit të vitit të kaluar përfshirë këtu individë nga Wagneri dhe Ujqërit e Natës apo edhe individë të strukturave tjera paramilitare, janë në kontroll direkt të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ai i përdorë këta në momentet kur i përshtatet në politikat e tij”, tha në një intervistë për Albanian Post, ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, gati dy muaj pasi u tërhoq nga kjo pozitë.

Ramadani që për një kohë ishte edhe Drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë dhe zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, duke qenë se ka përvojë të gjatë për çështjet e sigurisë ka theksuar se veprimet e grupeve kriminale serbe e kanë vënë në “domosdoshmëri argumentimin e Kosovës për qëllimin e saj të mirëmbajtjes së stabilitetit, paqes dhe sigurisë rajonale”.

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nënvizoi se Serbia si aleat besnik i Putinit, ka ardhur në pozita të pafavorshme pas luftës në Ukrainë.

Prandaj, sipas tij, Vuçiç po luan me formulën që “për t’u larguar nga Rusia, unë duhet të fitojë diçka më shumë”.

“Pra, Vuçiç po luan rrezikshëm në territor të Kosovës, ndërsa Kosova duhet të koordinojë gjithçka me NATO-n. Jo rrallë, përfshirë edhe rastin e para pak muajsh (targat ilegale), dimensioni i sigurisë merr përparësi ndaj atij politik”, shtoi ai.

Ndërkaq tre muaj më parë, serbët vendosën që të tërhiqen nga të gjitha institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb Dejan Pantiç, i cili sipas autoriteteve dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Madje, situata u tensionua, meqë serbët lokal vendosën barrikada për 20 ditë me radhë.

“Kjo ka bërë që situata në atë pjesë të jetë e paqëndrueshme dhe jo në interes të Kosovës, duke qenë se vendi parasheh avancim në sundimin e ligjit”, thotë profesori i sigurisë.

“Sidoqoftë, shpresoj se gjendja do të mbetet sfiduese vetëm në nivel politik dhe të mos merr përmasa të sigurisë. Momentalisht, mendoj se si e paqëndrueshme që është, gjendja në komunat veriore mund të përkeqësohet”.

Ish-kryeinspektori i AKI-së ka qenë fjalë pak kur është pyetur për intervistimin e tij nga Dhomat e Specializuara.

“Episodi në Dhomat e Specializuara besoj se është i përfunduar”.

Intervista e plotë e ish-kryeinspektorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, dhënë për Albanian Post:

Albanian Post: Zotëri Ramadani, keni qëndruar më shumë se tri vjet si kryeinspektor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, pse vendoset të jepni dorëheqje pak kohë para se ta përfundoni mandatin?

Shërbimi për forcimin e sigurisë kombëtare është nder dhe krenari. Mbi tri (3) vitet e shërbimit në AKI do të mbeten për mua të veçanta dhe me mburrje në kujtesën time. Ndërkohë që motivet e dorëheqjes sime mbeten në mes meje dhe Kryeministrit Kurti, besoj se koha sa kam shërbyer ka qenë mbi baza profesionale, korrektësie, rregullsie ligjore dhe kombëtare. Edhe vlerësimi publik që ka marrë nga udhëheqësit e institucioneve të shtetit në ditën e dorëheqjes besoj se janë një argument i këtillë.

Albanian Post: Grupi famëkeq rus “Wagner” ka kohë që ka hyrë në diskursin e politikanëve të Kosovës. E gjithë kjo pas tensionimit të situatës në veri. Kryeministri Albin Kurti në intervistën për Al Jazeeran, duke folur për “Wagnerin” dhe “Ujqërit e Natës”, dy grupe famëkeqe të Rusisë, theksoi se kanë qenë prapa barrikadave në Veri. Çfarë mendoni ju?

Prezenca e shtuar e elementëve rusë ose pro-rusë në Serbi lidhet direkt me kërcënimet që i bën Serbia jo vetëm rajonit, por edhe qasjes perëndimore mbi zhvillimet në rajon. Që Wagneri funksion dhe operon në Serbi, e ka konfirmuar vet Presidenti i Serbisë Vuçiç kur pak ditë më parë i ka bërë thirrje këtij grupi terrorist që të mos rekrutojë më serbë për luftën në Ukrainë. Pra, Vuçiç vet e ka konfirmuar se Serbia është zonë ku Wagneri operon lirshëm.

Formacionet pro-ruse që u shfaqën në Kosovë në muajin e fundit të vitit të kaluar përfshirë këtu individë nga Wagneri dhe Ujqërit e Natës apo edhe individë të strukturave tjera paramilitare, janë në kontroll direkt të Presidentit të Serbisë Vuçiç dhe ai i përdorë këta në momentet kur i përshtatet në politikat e tij.

Janë ekipe njerëzish që futen në përdorim të Vuçiçit, i cili e rrit vet elementin pro-rus në Serbi në mënyrë që të krijohet përshtypja e rreme se ai është më properëndimor se shoqëria serbe.

Natyrshëm, shqiptarët dhe serbët janë pole të ndryshme ideologjike dhe kjo duhet të shpërfaqet vazhdimisht.

Në muajt e fundit, lëvizjet edhe përmes grupeve dhe individëve të caktuar me të kaluar dhe qëllime kriminale, kanë vënë në domosdoshmëri argumentimin e Kosovës për qëllimin e saj të mirëmbajtjes së stabilitetit, paqes dhe sigurisë rajonale.

Serbia, duke qenë aleat besnik i Putinit, ka ardhur në pozita të pafavorshme pas luftës në Ukrainë, dhe këtë pozitë të pafavorshme synon ta rikthejë në avantazh të vetin. Duke qenë se është qartazi objektiv strategjik i Perëndimit që Serbinë ta kthejë në ideologjinë demokratike dhe properëndimore, atëherë Vuçiç po luan me formulën që “për t’u larguar nga Rusia, unë duhet të fitojë diçka më shumë”.

Pra, Vuçiç po luan rrezikshëm në territor të Kosovës, ndërsa Kosova duhet të koordinojë gjithçka me NATO-n. Jo rrallë, përfshirë edhe rastin e para pak muajsh (targat ilegale), dimensioni i sigurisë merr përparësi ndaj atij politik.

Në situata të tilla, diskutohet për stabilitet, jo për përparim.

Albanian Post: Si e shihni gjendjen aktuale të sigurisë në Veri të Kosovës, meqë policët, gjyqtarët dhe gjykatësit serbë kanë dhënë dorëheqje?

Duke qenë nën tension të vazhdueshëm politik dhe të sigurisë, gjendja në komunat tona veriore duket të jetë e paqëndrueshme. Si e tillë, tensionimi dhe paqëndrueshmëria e gjendjes në veri nuk përkon me qëllimin e Kosovës për të avancuar në sundimin e ligjit, prosperitetin dhe zhvillimin ekonomik. Në fund të fundit, për veri po flasim për stabilitet dhe jo për përparim.

Sidoqoftë, shpresoj se gjendja do të mbetet sfiduese vetëm në nivel politik dhe të mos merr përmasa të sigurisë. Momentalisht, mendoj se si e paqëndrueshme që është, gjendja në komunat veriore mund të përkeqësohet.

Sigurisht, përkeqësimin e gjendjes në veri e ka në dorën e vet Serbia, e cila po luan në territor të huaj. Ajo synon të përfitojë diçka më shumë dhe kërcënon me përshkallëzim në territor të shtetit të Kosovës.

Kosova nuk paraqet më “konflikt të ngrirë”, por as nuk bën të kthejë veriun e saj në një gjendje të ngrirë. Pra, mos-zgjidhja eventuale dhe vazhdimi i një gjendjeje të tillë, mund ta dërgojë veriun në “gjendje të ngrirë”, në të cilën asgjë nuk funksionon ligjërisht, porse ndërhyrja për të ndryshuar gjendjen pamundësohet.

Tashmë, në bindjen time, afati i shtyrë i zgjedhjeve lokale në komunat në veri të Kosovë, pra 23 prilli 2023, paraqet një lloj kufiri kohor se deri kur duhet të arrihet zgjidhje diplomatike për gjendjen atje. Nëse edhe ky proces rrezikon të dështojë, atëherë besoj se rreziku nga “territori i ngrirë” mund të rritet. Sepse, territori nuk mund dhe nuk guxon të qëndrojë i paqeverisur në formë demokratike. Qeverisja e asaj pjese nuk mund t’i lihet stuhisë së grupeve apo ri-aktualizimit të Rezolutës 1244 të OKB-s. Kjo nuk do të nënkuptonte ndonjë përparim për Kosovë. Përkundrazi.

Përafërsisht i njëjti shpjegim mund të vlejë edhe për pjesëtarët e Policisë, prokurorisë e gjykatave. Tashmë është shtyrë edhe afati për aplikim për policë të rinj nga ajo zonë dhe, sigurisht, ky proces duhet të del i suksesshëm, qoftë përmes rikthimit të pjesshëm, qoftë përmes rektruktimit të policëve të rinj. Porse, gjërat ndërlidhen dhe si të tilla forcojnë ose dobësojnë njëra-tjetrën.

Albanian Post: “Lufta s’ka përfunduar – por si të fitojmë sërish”? Ky ka qenë një shkrim i juaji pas keni dhënë dorëheqje, çka keni dashur të thoni me këtë?

Se ‘Lufta s’ka përfunduar’ argumentohet sa herë që Serbia ngre në ajër aeroplanët e vet luftarakë, sado të lodhur që t’i ketë. Pra, armiku e ka një votë për përfundimin e luftës. Atë e ka humbur deri më tash. Edhe në vitet 1999, edhe në 2008, edhe në vazhdimësi. Porse, nuk ka hequr dorë nga ngritja e aeroplanëve luftarakë dhe nga dërgimi dhe kontrollimi i grupeve apo individëve me të kaluar e qëllime kriminale.

Porse, për të fituar sërish, Kosova duhet të jetë e kujdesshme në vendimet që nuk arrin t’I zbatojë apo të cilat kthehen në vendime të pazbatueshme. Sepse, është e qartë se Kosova ka problem serioz me ndërhyrjet flagrante të Serbisë dhe ky problem duhet zgjidhur. Porse, bota demokratike po përballet edhe me ndërhyrjen ushtarake të Rusisë mbi Ukrainën.

Po e them këtë për faktin që ne në Kosovë duhet të kuptojmë se vendosja e prioriteteve mbi problemet nëpër botë mund të jetë ndryshe nga ne.

Fitorja e Kosovës tash duhet të jetë diplomatike. DIME (Diplomacy, Information, Military, Economy) duhet të jetë udhërrëfyesi i Kosovës. Pra, diplomacia ka rolin kryesor. Kosova, edhe në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, përcakton parimin që “ne mbrohemi me NATO-n”, prandaj është detyrë themelore e institucioneve të shtetit që t’i shërbejnë zbatimit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. Nëse “ne mbrohemi me NATO-n” atëherë edhe duhet të kemi diplomacinë që i shërben këtij qëllimi, koordinon vendimet, veprimet, politikat, synimet, objektivat, aktivitetet dhe detajet. Pra, nuk mund që edhe “ne mbrohemi me NATO-n” edhe të mbyllemi në Prishtinë.

Albanian Post: Keni qenë i intervistuar si kryeinspektor i AKI-së nga Dhomat e Specializuara, pse jeni ftuar?

Episodi në Dhomat e Specializuara besoj se është i përfunduar dhe ftesës së atëhershme i jam përgjigjur bazuar në detyrat dhe shërbimin për Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Albanian Post: Si është jeta si kryeinspektor? Sa je i kufizuar?

Është natyrë e kufizuar e punës dhe jetës, për të cilën nuk ka qenë aq i lehtë ambientimi. Fakti që kam shërbyer edhe në institucione të tjera të sigurisë, sikurse ka qenë Ministria e Mbrojtjes, ka qenë më ndihmues për t’u përshtatur me rrethanat. Porse, në përgjithshëm mund të them se si natyrë e punës, është shërbim që ka ndikuar në personalitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore