Shqipëria

Integrimi i Ballkanit Perëndimor, “premtim i thyer me një kosto të lartë”


“Një premtim i thyer që rrezikon të ketë një kosto të lartë”, e cilëson diplomati italian, Giovanni Castellaneta, procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).

Sipas tij, ndërsa diskutohet për aspektet ligjore dhe politike të anëtarësimit të Ukrainës në BE, vëmendja duhet të kthehet kah një tjetër emergjence të fqinjësisë evropiane.

Javët e fundit ka pasur shumë diskutime – dhe me arsye të mirë – për mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Pushtimi nga Rusia ka ngjallur një lëvizje solidariteti ndaj Kievit nga të gjitha vendet e BE-së (me përjashtim të pozicioneve të paqarta të Hungarisë nga Viktor Orbán), duke bërë gjithashtu që Ursula von der Leyen të takojë Volodymyr Zelensky dhe t’i dorëzojë formularët e nevojshme për përgatitjen e kandidaturës për shtetin anëtar.

Formularët u plotësuan menjëherë dhe u dërguan në Bruksel, në pritje të procesit formal.

Për Castellaneta-n, është e drejtë që, në qendër të vëmendjes, është Ukraina, por do të ishte e gabuar dhe e padrejtë të harrohen vendet e tjera evropiane – të vendosura në rajonin e Ballkanit – të cilat prej kohësh aspirojnë të jenë pjesë e “familjes evropiane”.

Ai kthehet pas në kohë, duke sjellë në vëmendje përfundimin e luftërave ballkanike 27 vite më parë me Paqen e Dejtonit.

Asokohe komuniteti ndërkombëtar tregoi integrimin në institucionet euro-atlantike, si objektivin strategjik për t’i dhënë stabilitet e siguri Ballkanit dhe kombeve të reja post-jugosllave.

Një angazhim i marrë zyrtarisht nga Bashkimi Evropian me Këshillin historik evropian të Selanikut.

Ai thekson se futja e Sllovenisë dhe e vendeve të Evropës Qendrore në vitin 2004 ngriti pritshmërinë për integrim të shpejtë në Ballkan.

Sipas tij, anëtarësimi nuk është një procedurë thjesht politike, por edhe një procedurë ekonomike, me nevojën për t’u ndjekur një rrugë stabilizimi dhe konvergjence me treguesit e kërkuar nga Bashkimi Evropian.

Kështu kjo mbetet një rrugë jo imediate për vendet që kanë nisur nga nivelet e ulëta të zhvillimit tridhjetë vjet më parë, të ardhur nga sistemet socialiste apo edhe më ekstreme, si në rastin e Shqipërisë.

“Por të gjitha përpjekjet dhe rezultatet e mira të krijuara ndër vite rrezikojnë të pengohen nëse nuk ofrohen kohë të caktuara dhe procedura më të thjeshta për këto vende”, shkruan diplomati në mediumin formiche.net, përcjell Albanian Post, duke shtuar se ndjenjat e zhgënjimit të shkaktuara nga pritja për më shumë se njëzet vjet në portën e Evropës tashmë mund të preken.

Kjo mund të vërtetohet edhe nga një studim i fundit në Maqedoninë e Veriut, sipas të cilit  mbështetja për Bashkimin Evropian ka rënë nga 50% në pak më shumë se 13% brenda pak vitesh.

Ai kërkon që të ndryshohet ritmi dhe përshpejtimi i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Deri më sot, vendet e rajonit zyrtarisht kandidatë për hyrje në BE janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia me këtë të fundit në “rreshtin e fundit” mes aspirantëve, pavarësisht se ka një nga ekonomitë më të forta në rajon.

Castellaneta shpreson që lufta e Ukrainës të shërbejë të paktën si një kujtesë për kancelaritë evropiane se ka ende një boshllëk në një pjesë të Evropës.

Turbulencat e shumta që përshkojnë Mesdheun Lindor dhe prania në rritje në rajon e lojtarëve të tjerë ndërkombëtarë, si: Kina, Rusia, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe kërkojnë përfshirjen e plotë të Ballkanit në politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane.

“Prandaj, integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor duhet të mbetet një nga prioritetet strategjike jo vetëm të BE-së, por para së gjithash të qeverisë italiane”.

Kjo është arsyeja – sipas tij – se pse vëmendja e duhur që i kushtohet Ukrainës nuk duhet të zvogëlojë përpjekjet dhe burimet e dedikuara për përfshirjen e rajonit të Ballkanit: zgjerimi i hapësirës demokratike evropiane.

“Është e përshtatshme të vazhdohet në këtë rrugë – ndoshta duke promovuar shtigje integrimi fleksibël dhe “me shumë shpejtësi” – nëse duam që BE të llogarisë më shumë në botë dhe gjithashtu të arrijmë të mos shantazhohemi nga fqinjët e rëndë dhe armiqtë e së drejtës ndërkombëtare si Rusia”, finalizon ai mesazhin e tij.

Shënim: Ky artikull është shkruar nga diplomati italian Giovanni Castellaneta dhe është përshtatur në shqip nga Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore