Lajme

Inspektorati i Tregut gjobit marketet për mashtrime me çmime


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregut (MINT), me anë të një njoftimi ka bërë të ditur se Inspektorati i Tregut të shtunën e 19 marsit gjatë inspektimit në terren, ka hasur në parregullsi sa i përket mospërputhjes së çmimeve nëpër markete.

Gjithashtu, thuhet se Inspektorët e Tregut kanë hasur edhe në disa produkte të cilave u ka munguar deklaracioni në gjuhën shqipe.

Lidhur me këto gjetje të inspektorëve, MINT ka ndërmarrë masa ndëshkuese në pajtim me ligjet në fuqi.

“Gjatë inspektimeve të ditës së shtunë, Inspektorët e Tregut kanë hasur në parregullsi sa i përket mospërputhjes së çmimeve raft –arkë, mashtrimit lidhur me zbritjet e reklamuara dhe në disa produkte ka munguar deklaracioni në gjuhën shqipe”.

“Prandaj në secilin rast janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftimin e MINT në rrjetin social Facebook.

MINT ka bërë të ditur se inspektimet do të vazhdojnë me qëllim të verifikimit të çmimeve të produkteve bazike, thuhet tutje në njoftim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore