Shqipëria

Inovativë në shërbime, por në rënie nga vitet e kaluara


Një raport i fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT) nxjerr në pah se përqindjen më të lartë të ndërmarrjeve, që kanë zhvilluar inovacionin gjatë periudhës kohore 2018-2020, e zënë ato që mbulojnë sektorin e shërbimeve.

Ky rezultat ka rrjedhur nga një vrojtim i bërë nga INSTAT-i lidhur me aktivitetet e inovacionit pranë atyre ndërmarrjeve që kanë pasur 10 ose më shumë të punësuar.

Mirëpo, krahasuar me vrojtimin e mëparshëm të periudhës kohore 2017-2019, aktiviteti i inovacionit ka pësuar një ulje me 1,7 për qind (nga 38,3 për qind në 36,6 për qind).

Kjo rënie është vënë re në ndërmarrjet e sektorit të industrisë dhe në atë të shërbimeve, përkatësisht 2,0 për qind dhe 1,3 për qind.

Bazuar te të dhënat e INSTAT-it për periudhën kohore 2018-2020, 36,6 për qind e ndërmarrjeve të vrojtuara kanë kryer një aktivitet inovacioni.

Dhe ky aktivitet rezulton më i lartë në ndërmarrjet që operojnë në sektorin e shërbimeve me 41,0 për qind, krahasuar me ndërmarrjet në sektorin e Industrisë me 32,1 për qind.

Ndërkohë, 23,6 për qind e të gjitha ndërmarrjeve të vrojtuara kanë zhvilluar inovacione të produkteve (mallra ose shërbime të reja ose të përmirësuara), ndërsa 31,6 për qind të tjera kanë zhilluar procese biznesi të reja ose të përmirësuara.

Kurse 63,4 për qind e ndërmarrjeve të vrojtuara nuk kanë kryer aktivitete inovacioni. 67,9 për qind prej tyre që operojnë në sektorin e industrisë nuk kanë rezultuar inovative, kurse ndërmarrjet në sektorin e shërbimeve kanë rezultuar 59,0 për qind jo aktive në inovacion.

Raporti vë në dukje se, për të kryer aktivitetin e tyre të inovacionit, 25,9 për qind e ndërmarrjeve aktive në inovacion kanë qenë të përfshira në një bashkëpunim me ndërmarrje të tjera, organizata shkencore dhe partnerë të tjerë. Dhe 3,6 për qind e tyre kanë marrë mbështetje financiare nga autoritetet publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore