Lajme

Iniciohet mocion në Këshillin e Evropës për sulmin terrorist në Banjë – kërkohet heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës


Këshilli Evropian

Deputeti nga radhët e Unionit Kristian-Demokrat (CDU) në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag), Knut Abraham, së bashku me deputeten shqiptare nga Partia Demokratike (PD), Jonida Tabaku, kanë paraqitur kërkesë për mocion të ri për një rezolutë në Këshillin e Evropës për sulmin terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Në tekstin e publikuar nga anëtari i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në platformën “X” thuhet se rezoluta do t’u bëjë thirrje shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që të dënojnë në mënyrë më të ashpër sulmin e 24 shtatorit dhe t’u bëjnë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të heqin masat ndëshkuese kundër Kosovës.

“Asambleja Parlamentare është e shqetësuar për sulmin e dhunshëm të një grupi të madh të paramilitarëve serbë, përfshirë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç, që ka ndodhur më 24 shtator në veri të Kosovës me armë të rënda luftarake kundër patrullave të Policisë së Kosovës, duke vrarë një polic kosovar. Ne e dënojmë këtë akt agresioni në territorin e Kosovës”.

“Gjithashtu, jemi të alarmuar nga mobilizimi i përsëritur i forcave të armatosura serbe përgjatë kufirit me Kosovën dhe kidnapimin e tre policëve të Kosovës në qershor të këtij viti. Asambleja Parlamentare vëren se ekziston një kërcënim në rritje për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet ndër të tjera në pjesën e tekstit të publikuar nga deputeti gjerman të enjten.

Po ashtu i kërkohet Qeverisë së Kosovës që të zbulojë të gjitha provat e incidentit dhe të koordinohet me institucionet relevante ndërkombëtare për të përcaktuar nëse provat janë bindëse, ndërsa Serbia duhet të përmbahet nga çdo përpjekje e mëtejshme përshkallëzimi që cenon rendin kushtetues të Kosovës, si parakusht për bisedimet e mëtejshme të anëtarësimit në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore