Lajme

India tronditet pas lirimit të të dënuarve me vdekje për përdhunimin në Chhawla


Kur 19-vjeçarja nga Delhi u gjet dhjetë vjet më parë e përdhunuar në grup dhe e vrarë në Haryana, u përshkrua si rast “i rrallë”.

Tronditjet pasuan nga raportimet për brutalitetin të cilit i ishte nënshtruar Anamika.

Tre burra, të arrestuar për krimin, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me vdekje nga një gjykatë në vitin 2014 dhe Gjykata e Lartë e Delhi-t i konfirmoi dënimet disa muaj më vonë.

Por të hënën, Gjykata e Lartë indiane i la të lirë burrat, duke thënë se nuk kishte asnjë “provë bindëse dhe të qartë” se ata kishin kryer krimin.

Trupi gjykues prej tre gjyqtarësh ngriti pyetje serioze në lidhje me hetimin e policisë, kritikoi gjykatën për “gabimet e dukshme” në gjyq.

Po ashtu deklaroi se gjyqtari kishte vepruar si një “arbitër pasiv”.

Por vendimi ka zemëruar prindërit e saj, ka tronditur aktivistët dhe ka çuar në shpërthime në mediat sociale në një vend ku raportohen dhjetëra mijëra përdhunime çdo vit.

I ati i saj ka thënë se “shpresat e tij për të marrë drejtësi u shuan në pak minuta”.

“Ne kishim pritur dhjetë vjet për drejtësi. Kishim besim në drejtësi, besuam se Gjykata e Lartë do ta konfirmonte dënimin me vdekje dhe vrasësit e vajzës sime përfundimisht do të vareshin”, ka thënë ai.

19-vjeçarja jetonte në Chhawla, një zonë rurale e shtresës së mesme të ulët në Delhi-n jugperëndimor.

Ajo, në janar të vitit 2012, nisi një punë në një qendër telefonike në Gurgaon, një periferi e kryeqytetit.

“Sapo kishte marrë rrogën e parë dhe ishte e emocionuar”, ka treguar aktivistja Yogita Bhayana, e cila ka mbështetur familjen në luftën e tyre për drejtësi për tetë vitet e fundit.

Natën e 9 shkurtit të atij viti, Anamika po kthehej nga puna në shtëpi me tre shoqe, kur u rrëmbye nga burrat në një makinë të kuqe.

Në Indi, krimi i tmerrshëm bëri bujë pasi trupi i saj pjesërisht i djegur dhe i gjymtuar me shenja torture u gjet katër ditë më vonë.

Mostrat e ADN-së të mbledhura nga njollat e gjakut, sperma dhe flokët e gjetura në veturën e sekuestruar dëshmuan se të akuzuarit dhe viktima kishin qenë në automjet.

Gjykata i dënoi burrat dhe i dënoi me vdekje dy vjet më vonë.

Teksa konfirmoi dënimin e tyre me vdekje, Gjykata e Lartë i cilësoi të akuzuarit si “grabitqarë”.

Por urdhri i gjykatës prej 40 faqesh i së hënës, i autorizuar nga gjyqtari Bela Trivedi, vuri në dyshim provat e paraqitura nga prokuroria dhe deklaroi se ishte e mundur që ato të ishin ngatërruar.

Këtë, duke vënë në dukje një “një numër mospërputhjesh dhe kontradiktash në provat e policisë dhe në dëshmitë e dëshmitarëve zyrtarë”.

Të akuzuarit nuk u identifikuan në gjykatë nga miqtë e viktimës apo një dëshmitar mashkull që ishte përpjekur të pengonte rrëmbyesit.

Po ashtu policia e Haryana-s, e cila kishte mbërritur e para në vendngjarje, nuk i përmendi sendet e gjetura në raportin e tyre.

Kurse telefoni që policia gjeti nuk iu tregua kurrë babait të vajzës për të konfirmuar nëse i përkiste vërtet asaj.

Përfundimisht nuk u vërtetua se makina e kuqe e sekuestruar nga policia ishte e njëjta me të cilën ishte kryer krimi.

Rrethanat e arrestimit ishin të dyshimta.

Mos marrja në pyetje e disa të akuzuarve kishte “krijuar një re dyshimi”.

Gjithashtu gjykata ka deklaruar se provat e marra nga makina u dërguan për ekspertizë mjeko-ligjore më 27 shkurt – gati dy javë pasi u sekuestruan.

Kështu, në urdhër thuhet se “prokuroria nuk ka arritur të provojë akuza përtej dyshimit të arsyeshëm dhe ne nuk kemi alternativë veçse të lirojmë të akuzuarin, edhe pse të përfshirë në një krim shumë të urryer”.

Charu Wali Khanna, avokatja e familjes së Anamika-s, ka thënë se urdhri do të kundërshtohej në Gjykatën e Lartë me një kërkesë rishikimi.

“Ky aktgjykim është shumë i paqartë dhe ngre këto çështje hiper-teknike. Ai thotë se provat mund të ishin manipuluar, por nuk padit policinë”, ka thënë ajo.

“Urdhri thotë se nuk kishte prova fikse, por ata shpërfillën shumë prova që ishin kundër të akuzuarit”, ka shtuar avokatja.

I ati i vajzës, i cili punon si roje në një shkollë, ka shkuar në gjykatë direkt nga puna të hënën pas turnit të natës.

Bhayana, e cila priti jashtë gjykatës teksa lexohej vendimi, ka mbetur tejet e zhgënjyer nga vendimi i dhënë.

“Më është thyer zemra, nuk kam fjalë për të shpjeguar se si ndihem. Mund ta imagjinoni se si ndihen prindërit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nuk kishte as një për qind frikë se diçka e tillë mund të ndodhte dhe kishte siguruar familjen se ky ishte fundi i rrugës në luftën e tyre për drejtësi.

“Por gjithçka është shembur. Kur avokatja më dërgoi mesazh duke më informuar për urdhrin, reagimi im i parë ishte mosbesimi. Mendova se e kisha dëgjuar gabim”.

Nëse Gjykata e Lartë kishte shqetësime në lidhje me hetimin, për Bhayana, ata mund të kishin rihapur çështjen, të urdhëronin një hetim tjetër ose t’ia dorëzonin çështjen policisë federale.

“Fakti është se një vajzë e re u përdhunua në grup dhe u vra brutalisht. Gjykata duhet t’i sigurojë një lloj zgjidhjeje familjes së saj”, ka thënë ajo.

Ndërkohë i ati i Anamika-s është i hutuar.

“Çfarë ka bërë Gjykata e Lartë? Gjykatat nuk kishin asnjë dyshim për dhjetë vjet. Si u kthye gjithçka papritur në gënjeshtër?”.

“Të gjithë thonë se India nuk është e sigurt për vajzat. Pas këtij urdhri gjykate, asnjë vajzë në Indi nuk do të jetë e sigurt. Kjo do t’i inkurajojë kriminelët”, ka theksuar ai.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore