Libra

“In Her Words” – libri që do të botohet në nder të ditëlindjes së 40-të të Amy Winehouse


Mbi 12 vjet më parë, artistja e famshme, Amy Winehouse u gjet e pajetë në rezidencën e saj në Camden Square në Londër – aso kohe, ajo ishte 27-vjeçe.

Ky shtator do të shënonte ditëlindjen e saj të 40-të dhe, për të nderuar këtë rast, familja e saj ka marrë vendimin për të botuar një libër me qëllime bamirësie dhe të gjitha të ardhurat do të drejtohen për Fondacionin Amy Winehouse.

E publikuar nga HarperCollins, kjo vepër e ardhshme titullohet “In Her Words” dhe është vendosur të dalë në treg në fund të këtij muaji.

Libri do të përfshijë fotografi personale të artistes britanike, disa nga tekstet e këngëve të saj dhe atë që ka tërhequr vëmendje të veçantë: fragmente nga ditari i saj personal.

“In Her Words” – Amy Winehouse.

“E urrej temperamentin tim. Ndonjëherë bëhem e dhunshme fizikisht me ata që dua”, ka shkruar Winehouse në ditarin e saj.

“Sado që të them se më vjen keq, është diçka që ata nuk mund ta harrojnë kurrë”, kishte shkruar pos tjerash, Amy në ditarin e saj.

Ky libër i ardhshëm do të ofrojë një paraqitje të shkurtër të jetës së saj më private, e cila u ndriçua përmes këngëve dhe pranisë së saj në skenë, por ishte thellësisht e brishtë kur ishte larg vëmendjes.

Ideja për këtë libër erdhi nga prindërit e saj, Mitch Winehouse dhe Janis Seaton.

Në përgatitje për botimin e ardhshëm të librit, të dy prindërit kanë bashkëpunuar me The Telegraph për të ofruar perspektivat e tyre.

Ata vunë në dukje se ajo u përball me sfida të varësisë që shënuan jetën e saj.

Një nga anekdotat më intriguese të ndarë nga prindërit e saj është zanafilla e një prej këngëve të saj më të njohura, “Rehab”.

Sipas tyre, kjo doli pas një diskutimi me Mitch. Biseda u rrotullua rreth pranimit të saj në një institucion rehabilitimi për të trajtuar betejat e saj me alkoolin.

Winehouse luftoi me abuzimin e substancave, sëmundjet mendore dhe varësinë.

Ajo vdiq nga helmimi me alkool më 23 korrik të vitit 2011. Vëllai i saj besonte se fajin e kishte edhe bulimia. Pas vdekjes së saj, “Back to Black” u bë për pak kohë albumi më i shitur në Mbretërinë e Bashkuar i shekullit 21.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore