Sport

Immobile tek Inter-i, nëse largohet një nga Lu-La


Simone Inzaghi e ka të qartë se çfarë dëshiron nëse humbet një prej dy yjeve të sulmit tek ekipi i ri. Nëse nga Inter-i largohet njëri nga Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez-i, atëherë do të vijë Ciro Immobile.

Ardhja e Inzaghi-t në stolin e Inter-it mund të sjellë revolucion në skuadër, edhe pse arritën të shpalleshin kampionë pas 11 vitesh.

Problemet ekonomike të Inter-it pritet të bëjnë të mundur largimin e një ose dy yjeve të ekipit. Më të përfolurit për t’u larguar janë Achraf Hakimi, së bashku me Lukaku-n dhe Martinez-in.

Kapiteni i Lazio-s është zgjidhja e parë, për vijën e sulmit. Ish-lojtari i Torino-s, Borussia Dortmund-it dhe Sevilla-s ka rilindur që kur është rikthyer në Itali.

31-vjeçari këtë sezon është aktivizuar në 41 ndeshje, duke shënuar 25 gola dhe gjithashtu ka dhuruar edhe tetë asiste.

Immobile do të jetë edhe pjesë e Kombëtares së Italisë në Kampionatin Europian Euro 2020, që do të fillojë pas pak ditësh.

Me Lazio-n, kapiteni ka kontratë deri në 2025 dhe kartoni i tij vlerësohet 38 milionë euro nga Transfermarket-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore