Lajme

IKShPK-ja publikon rekomandime për t’u përballur me temperaturat e larta


Ilustrim.

Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), ka bërë publike disa rekomandime se si duhet qytetarët që të mbrohen nga temperaturat e larta që po mbizotërojnë në vendin tonë.

IKShPK-ja përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka bërë të ditur edhe grupet më të rrezikuara prej temperaturave të larta.

“Të moshuarit, gratë shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e vegjël, individët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

Tutje nga IKShPK-ja janë treguar edhe disa nga rastet kur shfaqen rastet e para të rrezikut.

“Menjëherë kërkoni ndihmën e mjekut në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare. Ndërsa prisni për ndihmë, zhvendoseni të sëmurin në një hapësirë më të freskët, vendoseni në pozicionin horizontal, freskojeni duke e lagur me ujë dhe i jepni të pijë lëngje”.

Edhe me 17 korrik, Ministria e Shëndetësisë, kishte bërë thirrje tek qytetarët që të kenë kujdes nga temperaturat e larta.

MSH-ja përmes një komunikate për media ka thënë se përmes ekspozimit nga dielli mund të pësojmë goditje nga vapa që shkakton dehidrim të organizmit i cili manifestohet me “ngërçe, vjellje, çrregullim diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës”.

“Kështu duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale (dëmtim i veshkave)”.

Nga MSH-ja, janë dhënë edhe masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30 gradë.

Edhe në vendet e rajonit dhe Evropës është bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj temperaturave dhe orës se kur i ekspozohemi diellit.

Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.

Këto kushte klimatike po konsiderohen vetëm një prej shembujve se si po rrezikohet bota nga ngrohja globale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore