Shqipëria

IKMT në aksion/ Balla: Akset rrugore duhet të pastrohen nga vendgrumbullimet e mjeteve motorike


Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka ndjekur nga afër një aksion të IKMT në autostradën Tiranë-Durrës, për pastrimin nga vendgrumbullimet e mjeteve motorike të vjetra.

Gjatë këtij aksioni, IKMT mbështetet nga forca të Policisë së Shtetit, të Komisariatit Vorë, në mënyrë që të çlirohen hapësirat ndanë rrugëve kryesore nga këto biznese të paligjshme.

Gjatë këtij inspektimi, Balla theksoi se “ka një ligj i cili detyron çdo biznes që të qëndrojë 1 km larg rrugës kryesore. Pastaj, më keq se kaq, vendosja e makinave në karrexhatë, është burim aksidentesh”.

“Duam mirëkuptimin tuaj që të merrni mesat, por mos harroni që kjo është jo vetëm e lidhur me aspektin e sigurisë, por mbi të gjitha lidhet me një pastrim që duam t’iu bëjmë krahëve të të gjitha rrugëve të Shqipërisë. Këtu do të përfshihet edhe Policia e Shtetit. Ju duhet jo vetëm ta mbështesni IKMT, por në zbatim të urdhrit, në mënyrë të drejtpërdrejtë, duhet të merrni kontakte me të gjitha bizneset, të cilat duhet të zbatojnë ligjin. Po ashtu të kujdeseni për heqjen e këtyre mjeteve që janë parkuar në mënyrë të parregullt dhe që janë burim aksidentesh”.

Ministri vuri në dukje se fillimisht shtetasve u dërgohet njoftimi për pastrimin e mbeturinave në mënyrë vullnetare nga ana e shtetasve, dhe vetëm pas kësaj faze, do të vijohet me procedurat e tjera sipas planit të masave të IKMT.

“Kjo pamje këtu, nuk i bën nder Shqipërisë. Shqipëria turistike e 2024-ës duhet të jetë e pastër dhe kjo nënkupton jo vetëm pastrimin e të gjitha mbetjeve por pastrimin e këtyre mbeturinave. Kjo gjëja këtu është për t’u shkrirë në metalurgji”, theksoi Balla.

Në lidhje me aksionin e nisur nga IKMT, sidomos për autostradën Tiranë Durrës, Balla tha se “duhet të marrim kontakt me të gjitha bizneset dhe Komisariati i Vorës ka një përgjegjësi për shkak të një zone të madhe tregtare, që shtrihet përgjatë dy krahëve të autostradës, në mënyrë që të garantojmë që të gjitha bizneset të mbajnë përgjegjësi edhe për fasadën apo për ekspozimin, apo për mënyrën e vendosjes, daljes, në mënyrë që të bëjmë një pastrim si asnjëherë tjetër”.

Sipas tij, akti ligjor që rregullon këtë feston më shumë se 10 vjet, por “jemi në kohën e duhur që këtë akt ta shoqërojmë me akte të tjera nënligjore për të garantuar respektimin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore