Lajme

IKD: Qeveria dhe Kuvendi shkelën Kushtetutën me miratimin e projektligjit për KPMShCK


Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Përveç opozitës e cila ka kundërshtuar plotësim ndryshimin e ligjit të KPMShCK-së, duke paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se miratimi i këtij ligji shkel Kushtetutën.

Përmes një komunikate për media nga IKD-ja është thënë se Kuvendi e ka bërë të parëndësishëm rolin e një institucioni siç është KPMShCK-ja.

“Përmes këtij Projektligji, Kuvendi e bëri tërësisht jo relevant rolin e një institucioni kuazi gjyqësor siç është KPMShCK, i cili sipas Kushtetutës siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil”.

“Miratimi i këtij ligji e ngushton funksionin e KPMShCK, cenon rëndë autoritetin e këtij mekanizmi kushtetues, i hapë rrugë politizimit të sektorit publik në Kosovë, pasigurisë juridike dhe arbitraritetit ndaj zyrtarëve publik”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KPMShCK-ja.

Ky institut kishte sqaruar në tetor të vitit 2022, përmes një analize të publikuar për problemet kushtetuese që i bart projektligji i miratuar në Kuvend.

Kuvendi i Kosovës.

“Edhe përkundër faktit se IKD analizën e kishte dërguar tek të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, i njëjti institucion nuk pati vullnet për të adresuar çështjet e ngritura, duke shkelur Kushtetutën, cenuar integritetin dhe pavarësinë e shërbimit civil, dhe sigurinë juridike të shërbyesve civil me rastin e miratimit të këtij Projektligji”.

“Sipas Projektligjit, KPMShCK nuk do të ketë kompetencë të vendosë për ankesat kundër vendimit të Qeverisë për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese. Neni 101 i Kushtetutës flet për një sistem unik të shërbimit civil dhe një Këshill të vetëm që kujdeset për këtë shërbim”.

Sipas IKD-së, ky nen s’lejon shmangie ligjore të këshillit nga ky rol.

“Përderisa KPMShCK është institucion kushtetues dhe si i tillë kujdeset për gjithë shërbimin civil, pakësimi i kompetencave të këtij Këshilli me ligj është në kundërshtim të drejt për drejt me Kushtetutën”.

Të enjten, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Për këtë Ligj kanë votuar 59 ligjvënës, ndërsa katër kanë abstenuar, në mesin e abstenuesve ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Opozita ka kundërshtuar plotësim ndryshimin e këtij Ligji në formën si është hartuar aktualisht, meqë sipas tyre i njëjti është antikushtetues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore