Lajme

IKD-ja kërkon nga Avokati i Popullit që ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Pagat


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka dërguar tek Avokati i Popullit kërkesën për fillimin e hetimeve për shkelje të të drejtave të njeriut dhe inicim në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit “NR.08/L-196 për Pagat”.

Përmes një komunikate për media nga IKD-ja është thënë se Avokati i Popullit sipas kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, duhet ta procedojë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik për vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese.

“Me qëllim të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, reagimi i Avokatit të Popullit në këtë situatë është i domosdoshëm”.

“Përmes kësaj letre, IKD kërkon nga Avokati i Popullit që ta trajtojë këtë çështje dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të iniciojë Ligjin NR. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese” thuhet në kërkesën e IKD.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Në Gazetën Zyrtare të enjten është publikuar Ligji për Paga ndonëse vlera e koeficientit nuk dihet akoma, pritet të zbatohet nga muaji shkurt i këtij viti.

Paga e Presidentit të Shtetit do të ketë koeficientin më të lartë, me 18.0, për të vijuar më pas me kryetarin/kryetaren e Gjyaktës Kushtetuese, me 17.5.

Koeficienti për kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin do të jetë i njëjtë me 17 duke vazhduar me kategoritë e tjera të zyrtarëve dhe nënpunësve civilë.

Deputeti dhe ministri do të kenë pagë të barabartë, me koeficient 16.4.

Për mjekët specialistë, koeficienti është 12 ndërsa për mësimdhënësit në shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, niveli i koeficientit do të jetë 5.6.

Në nenin 7 të Ligjit për Paga, pika 3, shpjegohet edhe se si do të bëhet llogaritja e pagës në raport me orarin e përcaktuar të punës, konkretisht në raport me orët e realizuara të punës.

“Vlera e pagës bazë (v), për punën e kryer me orarë të plotë, llogaritet duke shumëzuar koeficientin për orë pune (x), me orët e realizuara përgjatë muajit (y), me vlerën monetare të koeficientit (z)”.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës javën e kaluar e kanë deponuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 63 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër e kanë miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik të enjten e 22 dhjetorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore