Lajme

IDF-ja kryen bombardimin më të rëndë në Gaza që nga fillimi i luftimeve


Sulmet ajrore izraelite gjatë mbrëmjes së 16 tetorit përbënin bombardimet më të rënda që nga fillimi i luftimeve javën e kaluar, raporton “Reuters”, duke cituar palestinezët në terren.

Raportimi pretendon se bombardimet ishin më intensive në qytetin e Gazës, ku bombat goditën zonat pranë dy spitaleve.

Izraeli mendohet se po përgatit një pushtim tokësor të Rripit.

SHBA-të, Izraeli dhe Egjipti kanë rënë dakord për një armëpushim në jug të Gazës, që do të fillojë në orën 6 të mëngjesit, që përkon me rihapjen e kalimit kufitar Rafah, sipas dy burimeve egjiptiane të sigurisë.

Burimet e Hamasit thonë se nuk kanë marrë informacion zyrtar për qëllimin e hapjes së kalimit Rafah me Egjiptin dhe lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare në Rrip.

Në anën egjiptiane të vendkalimit, shumë kamionë me pajisje ndihme të dërguara nga Jordania dhe Organizata Botërore e Ushqimit, ndër të tjera, presin të hyjnë.

Sipas burimeve palestineze, egjiptianët kanë shprehur gatishmërinë për të marrë çdo ndihmë dhe kanë vënë në dispozicion aeroportin El Arish për këtë qëllim, por në Kajro duan të garantojnë sigurinë e përfaqësuesve të vendosur në vendkalim, përpara hapjes së tij.

Në territoret izraelite dhe palestineze që nga fillimi i konfliktit më shumë se një javë më parë kanë mbetur të vrarë më shumë se 4 mijë persona.

Në Rripin e Gazës janë regjistruar 2 mijë e 670 të vrarë dhe 9 mijë e 600 persona janë plagosur.

Në Bregun Perëndimor janë regjistruar 57 të vrarë dhe 1 mijë e 200 persona janë plagosur.

Ndërsa në Izrael janë regjistruar 1 mijë e 400 të vrarë dhe 3 mijë e 500 persona janë plagosur.

Shefi i Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) ka lëshuar një paralajmërim të ashpër mbi aftësinë e organizatës për të vazhduar të ofrojë ndihmë për qindra mijëra njerëz në nevojë në Gaza.

“Kolegët e mi të UNRWA-s në Gaza nuk janë më në gjendje të ofrojnë ndihmë humanitare”, tha Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA, Philippe Lazzarini në një konferencë për shtyp në selinë e UNRWA-s.

“Operacionet e UNRWA-s janë gjurma më e madhe e Kombeve të Bashkuara në Rripin e Gazës dhe ne jemi në prag të kolapsit. Kjo është absolutisht e paprecedentë”, shtoi ai.

Lazzarini vuri në dukje se furnizimet me ujë dhe energji elektrike po mbaronin dhe së shpejti nuk do të kishte as ushqim apo ilaç.

“Ne të gjithë e dimë se uji është jetë – Gazës po i mbaron uji dhe Gazës po i mbaron jeta”, tha ai.

Rreth 400 mijë njerëz ishin aktualisht të strehuar në shkollat e UNRWA-s dhe objektet e tjera në jug të enklavës dhe numrat që kishin nevojë për ndihmë ishin “absolutisht dërrmues”, tregoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore