Shqipëria

Identifikohet bashkëpunëtori i autorit të vrasjes së Behar Sofias


Një 45-vjeçar është identifikuar nga ana e autoriteteve si bashkëpunëtori i autorit të vrasjes së Behar Sofias.

Vrasja e biznesmenit Sofia u regjistrua më 25 shkurt të vitit 2021.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndërkaq masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin B. L., i cili është banues në Larushk të Krujës.

“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, në drejtimin e SPAK-ut, për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 25 shkurt 2021, ku u vra me armë zjarri shtetasi B. S., 66 vjeç, si rezultat i hetimeve dhe provave të grumbulluara është bërë i mundur identifikimi i bashkëpunëtorit në këtë vrasje”, lexohet në njoftimin zyrtar të policisë.

Bashkëpunëtori ndodhej i paraburgosur për veprën penale “Dhunë në familje”.

Viktima Behar Sofia
Ndërtimi i ngjarjes

Policia e Tiranës do e zbardhte vrasjen e biznesmenit Behar Sofia më 13 mars të këtij viti.

Operacioni i quajtur “Piramida”, do të vinte në pranga një grup vrasësish me pagesë.

Këta të fundit kishin planifikuar vrasjen dhe në bashkëpunim kishin kryer ekzekutimin e tij.

Bëhej fjalë për shtetasit Ernejt Shyti, 24 vjeç, i lindur dhe banues në Tiranë, Skënder Vathi, 54 vjeç, Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë, dhe Xhuljano Visha, 28 vjeç.

E kaluara e vrasësve të Sofias

Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Xhixha, kishte një të kaluar kriminale.

Ai ishte dënuar më përpara për veprën penale “Vrasje në paramendim”, e ngelur në tentativë.

Ndërsa shtetasi Visha, kishte qenë i dënuar më parë për një vjedhje.

28-vjeçari nuk ishte një emër i panjohur për policinë.

Kush ishte Behar Sofia?

Sofia ishte me origjinë nga Berati, pronar i disa bizneseve në Tiranë, të cilat së fundmi po kalonin në hetimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Në drejtim të bizneseve të tij në Tiranë kishte pasur disa herë tentativa për keqbërje.

Biznesmeni u arrestua në vitin 1998 në bashkëpunim me shtetasin turk Abdulselam Turgut, nën akuzën për trafik troge nga Turqia në Shqipëri.

Sofia konsiderohej si një nga krerët e një organizate kriminale në Shqipëri, për trafikim të lëndëve narkotike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore