Lajme

Identifikohen viktimat në tragjedinë e ‘Astroworld’


Të paktën tetë persona u vranë dhe qindra u plagosën në festivalin amerikan muzikor ‘Astroworld‘, i cili momentalisht është nën hetim nga policia.

Ngjarja ndodhi në Houston të Texas-it, pas ekzaltimit të turmës në festivalin e reperit të njohur Travis Scott, teksa policia ka arritur të identifikoj dhe viktimat e saj.

Shumica e tyre ishin të rinj, me më të riun vetëm 14 vjeç. Familjarët dhe miqtë kanë bërë homazhe pas vdekjes së tyre.

Njёra ishte kёrcimtarja 16-vjeçare Brianna Rodriguez. Familja e saj ndau “trishtimin e tyre të thellë” në një postim në median sociale “Facebook”.

“Kërcimtarja e pasionuar po kërcen tashmё nё rrugën e saj drejt portave me perla të parajsës”, u shprehën ata

Një tjetër ishte Danish Baig, 27 vjeç. Vëllai i tij Basil Mirza Baig postoi në Facebook se ai ishte vrarë teksa po përpiqej të shpëtonte një të afërm tjetër në përplasje.

“Buzëqeshja e tij do të ndriçonte një dhomë”, ka shkruar ai.

Nga Laredo, i Teksasit u identifikua Rudy Pena. Mosha e tij ende nuk është konfirmuar.

Duke folur për agjencinë mediatike “Laredo Morning Times”, motra e tij e quajti atë, “personin më të ëmbël, miqësor, me shumë miq, teksa ishte gjithmonë aty për të gjithë”. Rudy ishte një fans i madh i Travis, i cili e donte pafund muzikën e tij”.

Një tjetër nga të ndjerët u identifikua si Franco Patino, 21 vjeç, student inxhinierie në Universitetin e Dejtonit.

Universiteti i tij konfirmoi vdekjen e tij për stacionin televiziv lokal “WHIO”. Ai ishte anëtar i vëllazërisë “Alpha Psi Lambda” dhe punonte në Ohio.

14 vjeçari, më i riu që vdiq në Astroworld, quhej John Hilgert,

“Ai ishte një nga fëmijët më të mirë që njoha dhe gjithmonë i bënte njerëzit të qeshin”, tha një mik i tij në llogarinë e tij në Twitter.

Nga student i arteve dhe medias në Universitetin e Ilinoisit Jugor ishte gjithashtu pjesë e viktimave. Ai quhej Jacob Jurinek dhe ishte 23 vjeç.

Në një deklaratë, familja e tij tha se ai ishte një djalë tepër “entuziast, energjik dhe pozitiv”.

Nga Universiteti i Washington-it Perëndimor u identifikua një student 21-vjeçar, i quajtur Axel Acosta.

Familja e tij tha për mediat lokale se ai kishte shkuar vetëm në koncert dhe se ky ishte festivali i parë muzikor që ai kishte marrë ndonjëherë pjesë.

Reperi Travis Scott ka thënë se po punon për të ndihmuar familjet e viktimave, por disa pjesëmarrës të koncertit po kërkojnë prej tij dhe promotorëve të tij dëmshpërblim.

Më herët, policia e Houstonit tha se, dy hetime ishin vendosur për të zbardhur rrethanat që shkaktuan tragjedinë. Njëri prej tyre përfshinte shqyrtimin e disa raporteve se, dikush në audiencë iu kishte injektuar drogë njerëzve.

Ndërsa përplasjet e njerëve filluan të shkaktojnë lëndime, turma filloi të panikosej dhe punonjësit e ndihmës së parë mbërrinin direkt në vendngjarje.

Rreth 300 njerëz u mjekuan për lëndime të tilla si prerje dhe mavijosje.

Një padi është ngritur gjithashtu kundër artistit Drake, i cili u shfaq si një interpretues surprizë. Drake dyshohet se, ka nxitur turmën edhe pse ishte në dijeni për sjelljen e mëparshme të Scott-në vitin 2018, Travis Scott u deklarua fajtor për shqetësim publik, pasi u akuzua se inkurajoi njerëzit që të afroheshin drejt skenës, në një koncert në shtetin amerikan të Arkansas-it, ku disa persona u lënduan.

Një gazetë lokale raportoi atëherë, se Travis pagoi gati 7 mijë dollarë për dy persona që i ngritën padi.

Deri tani, as ai dhe as Drake nuk kanë komentuar për paditë e reja e ngritura kundër tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore