Shqipëria

Ibrahimaj: Synojmë uljen e borxhit publik në 67.5%, eurobondi i ri 500 milionë euro


Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj deklaroi se synohet që vitin e ardhshëm borxhi publik të zbresë në nivelin 67.5% të produktit të brendshëm bruto.

“Në vitin 2023 parashikohet Borxhi Publik në nivelin 67.5% të PBB, nga 68.8% që pritet këtë vit, apo 73.2% që rezulton në vitin 2021. Objektivi operacional, balancë primare jo negative”, tha ajo në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë.

Ibrahimaj theksoi se jetëgjatësia në borxhin e brendshëm paraqet risk më të lartë të financimit.

Sa i takon daljes të Shqipërisë në eurobond, Ibrahimaj tha se kjo do të bëhej vetëm në rastin kur kushtet e tregjeve ndërkombëtare do të ishin të qëndrueshme. Ministrja shtoi se në vitin 2023 pritej të merrej një eurobond i ri me vlerë minimale deri në 500 milionë euro.

“Dalja në eurobond do të bëhet vetëm nëse kushtet e tregjeve do jenë të qëndrueshme. Duke ditur pasiguritë e larta që mund të kenë tregjet financiare, ministria e Financave dhe qeveria ka kohë që po shtyjnë përpara materializimin e një mbështetje buxhetore me Bankën Botërore me vlerën potenciale deri në 120 milionë euro e cila do të shtohet në të njëjtën vlerë dhe nga agjencia franceze për zhvillim”.

Më tej, ministrja e Ekonomisë dhe Financave ravijëzoi se do të paraqiste në komision një ndryshim për ligjin e financave vendore që detyronte bashkitë që fondet e paangazhuara, t’i çonin automatikisht për pagesën e detyrimeve të prapambetura ndaj qeverisë.

“Në fund të shtatorit të vitit 2022, pushteti vendor ka 7.5 miliardë lekë detyrime ndaj qeverisë. Bashkitë lejohen edhe sot të marrin borxh. Por nëse nuk kanë qëndrueshmëri financiare, nuk mund të marrin borxh, si çdo entitet tjetër, ashtu edhe qeveria nuk merr dot borxh nëse nuk ka qëndrueshmëri financiare. Nuk ka asnjë limit për marrjen e kredive për ato bashki të vlerësuara pozitivisht”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore