Lajme

IAEA kërkon më shumë qasje në termocentralin bërthamor në Zaporizhia


Kreu i agjencisë bërthamore të Kombeve të Bashkuara, Rafael Grossi, tha se ai po përpiqej të kishte qasje në çatinë e termocentralit bërthamor të Zaporozhye pasi Ukraina dhe Rusia akuzuan përsëri njëra-tjetrën për planifikimin e sulmeve.

Rusët u dhanë zyrtarëve të IAEA-s vetëm qasje të kufizuar në termocentralin bërthamor që Moska pushtoi në fillim të pushtimit të Ukrainës, raporton agjencia Associated Press.

Duke përfunduar një vizitë katër-ditore në Japoni, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) tha se agjencia e tij kishte bërë përparim në qasjen në Zaporozhye.

“Është si një bisedë dhe unë po përpiqem të kem sa më shumë qasje të jetë e mundur”, tha Grossi për AP-në, duke shtuar se kishte pasur “përmirësim margjinal”.

Duke cituar raportet e inteligjencës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha më herët se ushtarët rusë kishin vendosur “objekte të ngjashme me eksploziv” në disa njësi energjetike për të falsifikuar një sulm.

Në Rusi, zëdhënësi i Kremlin-it Dmitry Peskov këtë javë e quajti situatën në centralin bërthamor “mjaft të tensionuar” dhe akuzoi Kiev-in për planifikim të sabotimit.

Grossi tha se IAEA-ja ka bërë llogaritë për ndikimin e mundshëm të shpërthimeve apo bombardimeve të termocentralit në mjedis.

“Ju keni mjaft material bërthamor për të krijuar një skenar mjaft katastrofik të rastit më të keq, por ka gjëra të ndryshme alternative që mund të ndodhin”, tha ai.

Sipas tij, IAEA-ja kohët e fundit fitoi qasje në pjesë shtesë të zonës, duke përfshirë tanket e ftohjes dhe objektet e depozitimit të karburantit, por nuk zbuloi ndonjë aktivitet që do të tregonte vendosjen e eksplozivëve.

Megjithatë, shton ai, kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore