Sport

I vetmi “Libero”


Le të kthehemi për një moment 30-40 vjet mbrapa.

Vëzhgoni se si mbronin skuadrat asokohe.

Ishte një pamje madhështore.

Shumica prej ekipeve do të kishin në organikë një prototip lojtari që duket se ka humbur nga loja moderne e futbollit.

Zakonisht, ishte një mbrojtës elegant që qëndronte pas vijës së mbrojtjes, i cili rifitonte topat e humbur nga një sulmues.

Ndërsa e vendoste pa lodhje nën kontrollin e tij, ai marshonte përpara me topin, duke kaluar përtej mbrojtësve të tjerë dhe duke orientuar lojën në zonën e mesfushës.

Prej andej ai vepronte si një lojtar i ditëve moderne, duke e iniciuar lojën dhe duke e shpërndarë atë nga krahët, ose duke e luajtur përpara në mesfushë ose sulm. Ky ishte Libero.

Ky emërtim u bë sinonim i ish-kapitenit legjendar të FC Bayern Munich, Franz Beckenbauer, një nga legjendat më të mëdha në historinë e futbollit i cili ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare.

Libero – si filozofi më vete – gjendet në katror mes këtyre idealeve të futbollit.

Ishte një model loje që kishte zanafillën e tij në vitet 1930.

Që atëherë ajo është përshtatur dhe zhvilluar nga fusha të ndryshme të mendimit me shkallë të ndryshme suksesi dhe vlerësimi, dhe u perceptua se kishte dalë nga moda për një kohë.

Por “pasuesit” e saj jetojnë, edhe pse disi të fshehur dhe të panjohur nga shumë njerëz. Në një cep të qetë, duke pritur me durim që të thirret edhe një herë në plan të parë.

Karl Rappan ishte një ish-lojtar austriak që kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij si trajner në Zvicrën fqinje, duke drejtuar katër klube dhe duke u mburrur me të njëjtën periudhë në krye të ekipit kombëtar.

Ishte gjatë trajnimit të tij fillestar në Zvicër që ai për herë të parë përdori filozofinë e tij “Libero”.

Në atë kohë, kishte një sërë fushash mendimesh në zhvillim se si të formësoheshin lojërat, dhe disa mund të argumentojnë se Rappan mund të mos ketë qenë i pari që krijoi këtë filozofi.

Por ishte ai që e kodifikoi dhe e përdori atë në një nivel ku të tjerët brenda lojës do ta merrnin parasysh.

Lufta e Dytë Botërore fillimisht ndërpreu çdo ide të përhapjes së filozofisë, por imitimi është forma më e sinqertë e lajkave dhe një numër skuadrash po influencoheshin nga Rappan-i gjatë viteve ‘50.

Libero-s së Rappan-it i nevojitej jo vetëm mentaliteti i një mbrojtësi – aftësia për të parë situatat në zhvillim dhe për t’u përballur me to – por edhe nervozizmin e mesfushorit kur zotëronte topin, dhe dëshirën e një sulmuesi për të goditur kur paraqitej mundësia.

Libero-s i duhej guximi që Thucydides e identifikoi si “çelësin e lirisë”.

Për të gjitha qëllimet, Helenio Herrera nuk kishte elementë të tillë të rolit.

Libero-ja e tij duhej të kishte shumë më pak nevojë për të shkuar drejt sulmit.

Roli i tij kryesor do të ishte mbrojtja dhe, te Armando Picchi, ai gjeti lojtarin e përsosur që i përshtatej rolit “të fëmijës së paligjshëm” të Rappen.

Pavarësisht përshtatjes mbrojtëse të filozofisë, ajo korri dividentë të mëdhenj për Interin e Herrera-s.

Catenaccio u bë paradigma dominuese në futbollin italian, shumë skuadra të tjera e rrënjosën në zemrat e tyre, duke formësuar taktikat e tyre rreth modeleve që thuri.

Suksesi i Interit, dhe veçanërisht loja e Picchi-t, i dha hov roleve për Tarcisio Burgnich dhe Giacinto Facchetti, dhe më vonë Gaetano Scirea – i cili ishte një version shumë më i vërtetë i idealit të Rappan – për Juventusin dhe Franco Baresi te AC Milan.

Catenaccio, i lindur nga Libero, tani kishte gjetur aplikim dhe kishte krijuar një jetë të re për veten si filozofia dominuese në futbollin italian.

Mençuria e këtij zhvillimi të veçantë të filozofisë Libero – pavarësisht se shumë e konsiderojnë atë një progresion të zymtë dhe mbytës – mbetet një burim frymëzimi si në futbollin vendas italian ashtu edhe në ndeshjet ndërkombëtare për Azzurri-t.

Pemët priren të kenë më shumë se një degë, megjithatë, dhe në Evropën veriore, një variant i ndryshëm i filozofisë po zinte rrënjë. Në Holandë, zhvillimi i Totaalvoetbal nga Rinus Michels në Amsterdam ishte i ngjashëm me planin e Rappan-it, por shpërndahej në të gjithë ekipin, dhe jo vetëm në një individ.

Në Gjermani në një kohë të ngjashme, një tjetër përshtatje u krijua nga futbolli i Franz Beckenbauer.

Fillimisht një mesfushor kreativ, Der Kaiser ripërcaktoi rolin e Libero-s, duke e përmirësuar atë me sukses pasi Bayern Munich dhe ekipi kombëtar gjerman morën përfitime të mëdha prej tij.

Elegant me topin kur futej në mesfushë, Beckenbauer ishte gjithashtu një mbrojtës i efektshëm driblues dhe mund ta kryente atë pjesë të detyrave të tij me aq hir sa kur ishte në zotërim.

Ishte aftësia e tij për të përshtatur filozofinë Libero që e lejoi Beckenbauer të drejtonte lojën nga një pozicion më i thellë, duke diktuar ndeshjet për skuadrat ku ai luajti duke nxitur një zhvillim tjetër të Libero-s.

Në gjuhën e futbollit amerikan, Beckenbauer mund të përshkruhet si quarterback.

Një aftësi për të kryer pasime të gjata për të shtyrë skuadrën e tij përpara, ai gjithashtu kishte aftësinë për të vrapuar me topin kur hapeshin mbrojtjet.

Ekipet e ndërtuara rreth këtij sistemi me Beckenbauer në pozicionin Libero rezultuan jashtëzakonisht të suksesshme.

Dikush që si futbollist ndryshoi fatin e Gjermanisë dhe Bayern Munich-ut.

Dikush që dominonte lojën kudo që ta vendosje.

Dikush që duke e parë duke luajtur, dukej se vinte nga një botë tjetër.

Imazhi më i njohur dhe ndoshta më romantik që kemi për të është padyshim ai i Botërorit të Meksikës 1970.

Koha shtesë e ndeshjes historike Itali – Gjermani 4-3, e cila më pas do të mbahet mend si “ndeshja e shekullit” në stadiumin Azteca: përjetësohet me krahun e djathtë të fashuar në trup, ndërsa pavarësisht shpatullës së dislokuar, ai stoikisht vazhdoi të luante.

Një futbollist sui generis, vërtetë nga një planet tjetër për kohën e tij.

Një elegancë magjepsëse, si dhe lehtësia natyrale e galopimit të tij asnjëherë të pabarabartë, e cila fsheh shpejtësinë e tij, të jashtëzakonshme për kohën.

Pastaj, përveç shpejtësisë fizike, kishte edhe shpejtësinë e të menduarit, dhe atje, Kaiser Franz, ishte vërtet i paarritshëm. Për të mos përmendur koordinimin e tij të jashtëzakonshëm të lëvizjeve, aq perfekt sa të dukej e panatyrshme.

Goditjet e tij nga limitet e zonës, të mprehta dhe të papritura, më pas shkaktuan viktima të shquara, siç ishte legjendari Yashin, duke kujtuar një bëmë të të riut gjerman që e la atë pa fjalë.

Ishte gjysmëfinalja e Botërorit ’66, Bashkimi Sovjetik humbi mundësinë e finales, por Yashin gjithsesi shkoi tek ai për ta uruar, sepse siç tha më vonë “ai gol ishte i fisnikërisë perandorake të futbollit”.

Po, perandorak, nuk ka mbiemër më të përshtatshëm për të përshkruar Franz Beckenbauer, zot i paharrueshëm i futbollit.

Disa pasazhe janë marrë nga botimi i revistës filozofike “This Football Times”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore