Shqipëria

‘I.M spiun i Sigurimit të Shtetit’, Nikolla takon krerët e grupeve parlamentare


Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka thirrur këtë të mërkurë mbledhje kryesie me kryetarët e grupeve parlamentare për t’i vënë në dispozicion dosjen e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit.

Në dosje flitet se një personazh me profil të lartë politik i identifikuar me inicialet I.M., rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

Sipas burimeve, Nikolla do takojë kryetarët e grupeve në orare të ndryshme.

Deri në këto momente, ajo ka zhvilluar takim me kreun e grupit socialist Taulant Balla. Ndërkohë pritet të takojë edhe Enkelejd Alibeajn dhe Fatmir Mediun.

Autoriteti i Dosjeve kërkon ndryshimin e ligjit për të verifikuar edhe politikanët e lartë që dolën të pastër nga dy Komisionet në vitet ’90.

Një ditë më parë, Bordi i Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit, i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë të ndryshoj ligjin mbi dosjet në vend, për shkak se favorizon politikanët e lartë dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk ndëshkohen nga të qenit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe akoma më keq mbrohen me një klauzolë të veçantë, nëse kanë kaluar “filtrin” e atij që quhej Komisioni Mezini dhe me pas Bezhani pas vitit 1997.

Lidhur me këtë, ka pasur një reagim nga bashkëpunëtori i Ilir Metës, Tedi Blushi duke thënë se kanë merakun e patronazhistëve të komunizmit dhe i kërkoi që të nxjerrin çdo dokument në mënyrë që të jenë sa më transparentë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore