Lajme

I ikën ferrit të Gazës duke lënë pas gjithë jetën


Mahmoud-in e tmerron e ardhmja.

Para gjashtë muajsh, 38-vjeçari kurrë nuk e kishte imagjinuar se një ditë do të linte gjithçka pas.

Ai jeton çdo ditë në ankthin e një të nesërme të pasigurt.

“Nuk di ku të shkoj. Gjithçka që kam është shkatërruar, nuk kam më shtëpi, nuk kam kursime, edhe nëse bëj një plan, do të ishin vetëm dëshira të parealizueshme”, rrëfen ai i dëshpëruar nga Kajro.

Duke rrezikuar jetën, me të gjitha kursimet që i paguhen një kontrabandisti ose një agjencie egjiptiane udhëtimi për të kaluar postën kufitare të Rafah-ut, ata u larguan me nxitim pa e ditur nëse do ta shohin sërish vendin e tyre të origjinës: Gazën.

Nëse në mesin e marsit, deri në 1.7 milionë palestinezë nga enklava ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës për gati gjashtë muaj, sipas UNRWA, tani asnjë e dhënë zyrtare nuk dihet.

Mahmoud – konsulent i institucioneve kulturore, psikolog dhe shkrimtar – e gjeti veten të papunë në fillimin e luftës shkatërruese të zhvilluar nga Izraeli në enklavën palestineze pas sulmeve të përgjakshme nga Hamasi.

Ngjashëm edhe gruaja e tij.

Thuajse të gjitha kursimet e tyre u përdorën për t’u larguar nga andej më 3 mars, së bashku me dy fëmijët e tyre pesë dhe shtatë vjeç, pa asnjë perspektivë për të ardhmen.

“Nuk ishte pjesë e planeve të mia të largohesha nga Gaza, por rrethanat ishin shumë më të forta se unë”, tregon ai.

Ai përshkruan 150 ditët e luftës, një jetë të përditshme të shoqëruar nga shpërngulje të pafundme që kur shtëpia e tyre në lagjen Rimal të Gazës, e njohur si më e sigurta dhe më e qeta në qytet, u bombardua dhe ku frika e vdekjes fshihet në çdo hap e moment.

“Infrastruktura, shkollat, spitalet, rrjetet e ujit dhe energjisë elektrike…thuajse gjithçka u shkatërrua për të na shtyrë në migrim të detyruar, duke na hequr nivelin minimal të jetesës”.

Shpresa e tij e vetme sot është të mbledhë 30 mijë dollarë nëpërmjet një fushate bamirësie në internet për të mbuluar shpenzimet e nevojshme të jetesës dhe për të finalizuar regjistrimin e fëmijëve të tij për shkollë në Egjipt.

Goditje psikologjike

Edhe largimi i detyruar i Lyna-s në Kajro në fillim të dhjetorit rezonon me atë të tij.

Para 7 tetorit, ajo kurrë nuk e kishte menduar se do të frikësohej kaq shumë për jetën e saj dhe të njerëzve të saj të dashur.

Po ashtu kurrë nuk e kishte menduar se do të shihte shtëpinë që prindërit sapo kishin mbaruar shlyerjen, në një lagje të qytetit të Gazës, duke u rrënuar.

Por pavarësisht gjithçkaje, Lyna refuzon të heqë dorë nga kthimi në vendlindje.

“Shpresoj që gjithçka të përfundojë. Dua të kthehem në rrënojat e shtëpisë sime, të vazhdoj jetën time në vendin tim, me njerëzit e mi të dashur”, tregon e reja 25-vjeçare.

Në Egjipt, ku ajo iku me prindërit dhe vëllezërit e motrat, familja nuk ka të ardhura.

Ajo nuk e di se në cilën ditë do të shterohen 8 mijë dollarët e tyre të kursimeve, duke paguar 300 dollarë çdo muaj për qiranë, pa llogaritur shpenzimet e tjera.

Në Kajro iu rikthye seria e tronditjeve psikologjike të pësuar në tre muajt e luftës.

“Ne vuajmë nga gjithçka, nga ajo që kemi përjetuar, nga humbja e gjithçkaje”, rrëfen ajo, teksa përgatitet të konsultohet me një psikiatër të ofruar nga OJQ-ja humanitare me të cilën ajo punoi vullnetarisht.

Lyna kujton udhëtimet e vazhdueshme, nga shtëpia e saj, e bombarduar vetëm një javë pas luftës, në Khan Younes pastaj në Rafah.

Pastaj shkatërrimi i furrës së vogël që prindërit drejtonin në kampin e refugjatëve al-Chati, në veri të enklavës, burimi i tyre i vetëm i të ardhurave.

Ditën që ajo iku së bashku me nënën, motrën dhe vëllain e saj të vogël për 5 mijë e 700 dollarë secili, babai dhe vëllai i saj më i madh mundën të largoheshin vetëm një muaj më vonë pasi kishin mbledhur shumën e kërkuar nga disa të afërm.

“Rrugës për në postën kufitare, ne u lutëm që të mos ishim në shënjestër, veçanërisht kur kalonim pranë spitaleve”, kujton ajo.

Ishte hera e parë që largoheshin nga shtëpia që kur mbërritën në Rafah.

“Qava aq shumë kur përshëndeta babain dhe vëllain tim, duke mos ditur nëse do t’i shihja më”.

Përshtatje

Pasi u largua vetëm për në Kanada, ku u bashkua me bashkëshortin e saj, Huriya la pas prindërit dhe tre motrat.

Disa ditë para luftës, teksa priste për një vizë për në Kanada, e reja kishte imagjinuar një lamtumirë krejt ndryshe me vendlindjen dhe të dashurit e saj.

Bashkëshorti i saj, me origjinë nga Gaza, do t’i bashkohej para se të festonin dasmën të rrethuar nga familja e tij.

Ky kujtim i lumtur, të cilin Huriya shpresonte ta merrte me vete para se të largohej, i rrëmbehet papritur.

“Rrethanat ndryshuan me luftën. Është një nga gjërat më të vështira që më ka ndodhur ndonjëherë”, tregon ajo.

Pasi mori vizën më 11 tetor, e cila supozohej të merrej në Aman, ajo u përpoq me të gjitha mënyrat të figuronte në listën e vendasve të autorizuar për të kaluar kufirin.

Çka e arriti ta bëjë pas dy muajsh.

“Situata në pikën e kalimit ishte shumë e vështirë. Ishte kur Izraeli po rrethonte Khan Yunis. E lashë familjen, motrat, babanë, nënën dhe të gjithë ata që dua, në kushte që nuk i kisha imagjinuar kurrë”.

Teksa ajo planifikon të rindërtojë jetën e saj në një vend të ri dhe të marrë një pasaportë kanadeze, Huriya aspiron që një ditë të shohë përsëri Gazën.

Tani për tani, e reja po përpiqet të përshtatet me një mjedis të ri, e bindur se ajo me të cilën u përball në dy muajt e parë të luftës “mjafton për t’u përshtatur me çdo gjë”.

Njëherazi, ajo po bën më të mirën që familja e saj të largohet nga enklava palestineze, pasi ka nisur një fushatë bamirësie.

“Është e vështirë të imagjinohet që Gaza do të jetë ajo që ishte. Gaza nuk do të jetë më e njëjta”.

Marrë nga “L’Orient-Le Jour”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore