Lajme

I dyshuari për bombën në Lockerbie ndodhet në paraburgim


Një libian i akuzuar për prodhimin e bombës që shkatërroi fluturimin 103 të “Pan Am” 34 vjet më parë është në paraburgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu ka bërë me dije autoritetet skoceze.

SHBA-të njoftuan akuzat kundër Abu Agila Masud dy vjet më parë, duke pretenduar se ai luajti një rol kyç në bombardimin e 21 dhjetorit 1988.

Shpërthimi në bordin e Boeing 747 la të vdekur 270 persona.

Ky është incidenti terrorist më vdekjeprurës që ka ndodhur në tokën britanike.

Të gjithë 259 pasagjerët dhe ekuipazhi në bordin e avionit i nisur për në New York nga Londra vdiqën ndërsa 11 persona të tjerë u vranë në Lockerbie kur rrënojat shkatërruan shtëpitë e tyre.

Muajin e kaluar u raportua se Masud ishte rrëmbyer nga një grup milicësh në Libi, duke çuar në spekulime se ai do t’i dorëzohej autoriteteve amerikane për t’u gjykuar.

Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-ve i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se Masud do të paraqitej fillimisht në një gjykatë federale në Washington.

Pesë vjet më parë ai po vuante një dënim me burg në Libi për bërjen e bombave.

Në vitin 2001, Abdelbaset al-Megrahi u dënua për bombardimin e Pan Am 103, pasi u gjykua në një gjykatë skoceze të mbledhur posaçërisht në Holandë.

Ai ishte i vetmi njeri që u dënua për sulmin.

Megrahi u dënua me burgim të përjetshëm, por u lirua për arsye dhembshurie nga qeveria skoceze në vitin 2009, pasi u diagnostikua me kancer.

Ai vdiq në Libi në vitin 2012.

Megrahi, i cili gjithmonë shpallte pafajësinë e tij, bëri dy apelime kundër dënimit të tij me 27 vjet. Njëri ishte i pasuksesshëm dhe tjetri u braktis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore