Lajme

Hysni Gucati operohet sërish, të enjten në mbrëmje iu përkeqësua gjendja


Hysni Gucati, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që aktualisht gjendet i burgosur në Hagë për shkak të dënimit nga Gjykata Speciale, është operuar serish dhe aktualisht gjendet në anestezion, kanë treguar për Albanian Post burime të afërta me Gucatin.

Gucati veç ishte operuar paraprakisht në këmbë dhe gjendjen e kishte stabile deri dy ditët e fundit, ka treguar burimi.

Por, mbrëmë i është përkeqësuar gjendja në orët e vona dhe është dërguar me urgjencë në spital për t’iu shtruar operimit.

Nga sa dihet deri më tani, bëhet fjalë për problemin e njëjtë.

Gucati ndërhyrjen e fundit e kishte pasur me 17 tetor.

Familjarët e Gucatit ishin ankuar për vonesat që iu bënë të dënuarit me katër vjet burgim.

Siç pati treguar djali i tij, Musli Gucati për Albanian Post, “ndërhyrja është dashur të bëhet me herët, por nuk kanë lejuar nga Gjykata”.

Gucati: Jam operuar 27 herë

Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, Gucati para trupit gjykues në Hagë pati treguar se është plagosur gjatë luftës dhe ka gjithsej 27 operacione.

“Unë jam i plagosur në këmbën e djathtë, jam i operuar, 27 operacione i kam gjithsej”, ishte shprehur ai.

Gucati tregoi edhe se ku ishte trajtuar pas plagëve të marra.

“Ditën e parë në spitalin tonë të improvizuar në bjeshkë, në malet e Berishës. Të dytin në spitalin ushtarak në Tiranë më 8 qershor, ku më kanë dërguar forcat angleze, të cilat kanë sjellë ndihmë ushqim për mua dhe dy të tjerë të plagosur që kanë dërguar në Tiranë”, pati thënë Gucati.

Në ndërkohë, Gjykata Speciale ende nuk ka dalur me një njoftim për gjendjen shëndetësore të ish ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Foto nga Albanian Post: Gucati me kemben e plagosur ne kohen e luftes

Pse është dënuar Gucati nga Specialja?

Gucati nuk është i dënuar për krime lufte dhe as nuk është akuzuar për vepra të tilla.

Atje, ai po vuan dënimin prej katër vitesh e gjysmë për veprat penale: pengimin e administrimit të drejtësisë, shkeljes së fshehtësisë së procedurës dhe pengim të personave zyrtar.

Pasi kishin rrjedhur disa dokumente konfidenciale nga Gjykata Speciale, një person i maskuar ato dosje i kisthe sjellur tek zyrat e OVL-së.

Organizata kishte vendosur që të njëjtat t’ua ofrojë gazetarëve.

Ky veprim është kuptuar nga Specialja si pengim i drejtësisë dhe ai, bashkë me nënkryetarin Nasim Haradinaj, ishin dërguar në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore