Lajme

Djali i Hysni Gucatit: Babai po operohet – duhej para dy vjetësh, por Specialja nuk e lejonte


Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është duke u operuar në spitalin e Hagës në Holandë.

Atje, ai po vuan dënimin prej katër vitesh e gjysmë për veprat penale: pengimin e administrimit të drejtësisë, shkeljes së fshehtësisë së procedurës dhe pengim të personave zyrtar.

“Ka nisur operimi, babai do të ketë dy ndërhyrje, në këmbën e djathtë dhe në gju”, tha Musli Gucati, i biri i ish-kreut të OVL-së të UÇK-së, për Albanian Post.

Veçse për këtë operim, Gucati ishte duke pritur prej dy vitesh, pasi sipas djalit të tij, “ndërhyrja është dashur të bëhet me herët, por nuk kanë lejuar nga Gjykata”.

“Kontrolle ka bërë vazhdimisht dhe do të rrijë gjatë në spital”, thotë ai për AP-në.

Por, Musli Gucati potencon se Specialja nuk ia ka lejuar që të jetë afër babait, ndonëse thekson se ka bërë kërkesë disa herë.

“Nuk e kanë pranuar kërkesën time që të shkojë atje, as avokatët as askënd. Kemi bërë kërkesë që tri javë”.

Musli Gucati

Gucati: Jam operuar 27 herë

Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, Gucati para trupit gjykues në Hagë pati treguar se është plagosur gjatë luftës dhe ka gjithsej 27 operacione.

“Unë jam i plagosur në këmbën e djathtë, jam i operuar, 27 operacione i kam gjithsej”, ishte shprehur ai.

Gucati tregoi edhe se ku ishte trajtuar pas plagëve të marra.

“Ditën e parë në spitalin tonë të improvizuar në bjeshkë, në malet e Berishës. Të dytin në spitalin ushtarak në Tiranë më 8 qershor, ku më kanë dërguar forcat angleze, të cilat kanë sjellë ndihmë ushqim për mua dhe dy të tjerë të plagosur që kanë dërguar në Tiranë”, pati thënë Gucati.

Çka thonë nga Specialja?

Zëdhënësja për media e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, në një përgjigje për AP ka theksuar se për arsye të privatësisë, “ne nuk mund të ofrojmë informacion në lidhje me gjendjen shëndetësore ose kujdesin shëndetësor të marrë nga të paraburgosurit individualë”.

“Në përgjithësi, të paraburgosurit marrin të paktën të njëjtat standarde të kujdesit shëndetësor siç janë të disponueshme në Holandë”.

Por, ajo thotë se të gjithë të paraburgosurit marrin vizita të rregullta nga zyrtari mjekësor në ambientet e paraburgimit dhe mund të kërkojnë kujdes mjekësor në çdo kohë.

“Oficeri mjekësor do t’i referohet gjithashtu të paraburgosurit për kujdes dhe/ose trajtim të specializuar, aty ku kërkohet. Për më tepër, një i paraburgosur mund të konsultohet me mjekë të jashtëm. Një doktor i jashtëm duhet të jetë i licencuar për të ushtruar profesionin në Kosovë, Holandë ose në shtetin e vendbanimit të të paraburgosurit”.

“Në rast se të paraburgosurit i mungojnë mjetet financiare për t’u konsultuar me një mjek të jashtëm, i paraburgosuri mund të kërkojë nga Sekretari që Dhomat e Specializuara të paguajnë kostot e çdo trajtimi”.

Griep ka treguar se në përgjithësi të paraburgosurve u lejohen 10 ditë vizita në çdo periudhë 30-ditore dhe vizitat në përgjithësi mund të zgjasin gjithë ditën, brenda orëve të vizitës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore