Sport

Hysaj i motivuar pas fitores në derbi: Nuk ka kohë për pushim, më pret kombëtarja


Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, pati një paraqitje tejet të mirë të dielën për skuadrën e tij, Lazio-n, të cilët e fituan derbin e kryeqytetit ndaj Romës me rezultat minimal 1:0.

Hysaj ishte titullar në këtë sfidë, teksa u rikthye pikërisht ndaj Romës, pasi që në ndeshjen e fundit mungoi për shkak të dëmtimit.

Megjithatë, dje ai luajti për 90 minuta dhe në fund pas sfidës për “Lazio Style Channel”, tha se një ndeshje derbi të bën të harrosh edhe dhimbjet.

“Mora një goditje të fortë në ndeshjen e kaluar, por u rikuperova dhe më ndihmoi edhe qetësuesi”, tha fillimisht Hysaj.

“Do të ishte e dhimbshme ta humbisja derbin, duhej të qëndroja me çdo kusht në fushë dhe të ndihmoja skuadrën. Kishte shumë tension në fushë dhe derbi është nga ato sfida që të bën të harrosh dhimbjet”, shtoi Hysaj.

“Të jep karikimin e duhur, të gjithë bëmë maksimumin dhe në fushë ndihmuam njëri-tjetrin. Tifozët janë special dhe nëse fiton, atëherë të bëjnë një fenomen. E kundërta ndodh kur humbet”.

“Por, ata janë një shtysë e madhe për ne. dhamë gjithçka në fushë dhe e merituam fitoren. Nesër nisem për në kombëtare dhe nuk ka kohë për pushime. Megjithatë, do ta shijoj këtë fitore”, u shpreh mes tjerash Hysaj.

Kujtojmë që futbollistët e kombëtares së Shqipërisë do të fillojnë të mblidhen këtë të hëne për ndeshjen kualifikuese ndaj Polonisë që do të zhvillohet më 27 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore