Lajme

Hungaria vendi i parë i BE-së që miraton vaksinën ruse


Hungaria është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që jep miratimin paraprak për vaksinën ruse të coronavirus-it, Sputnik V.

Të enjten, kryeministrit hungarez, Viktor Orban, konfirmoi se vaksina ka marrë “dritën jeshile” nga autoritetet shëndetësore.

Ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto, po udhëton në Moskë për bisedime të mëtejshme, ku pritet të diskutojë një marrëveshje dërgesash dhe shpërndarjeje.

Rezultatet e hershme nga provat e vaksinës Sputnik V, kanë qenë premtuese.

Zyrtarët shëndetësorë hungarez janë gjithashtu në Pekin për bisedime me autoritetet kineze mbi miratimin dhe shpërndarjen e menjëhershme të një milion dozave të vaksinës Sinopharm. Kjo vaksinë  po përdoret tashmë në Serbi.

“Mënyra e vetme që vendi mund të plotësojë kërkesën për vaksinim është duke blerë nga Rusia dhe Kina”, u shpreh kryeministri i Hungarisë.

Disa sondazhe të mediave hungareze, sugjerojnë se vetëm 7% e hungarezëve do të pranonin vaksinën ruse. Ata kanë filluar të krijojnë teori konspirative për Rusinë.

Qeveria, megjithatë, ka hedhur poshtë kritikat ndaj këtij vendimi.

“Asnjë vaksinë nuk mund të vijë në tregun hungarez nëse nuk është në përputhje me standardet” tha zëdhënësi i qeverisë Zoltan Kovacs.

Ai shtoi se nuk ka asgjë të fshehtë pas kësaj marrëveshjeje.

Rusia ndërkohë  po ndërton një stacion të energjisë bërthamore në Paks.

Universiteti Kinez Fudan gjithashtu do të hapë një kampus në Budapest në 2024-ën dhe planet po përparojnë për një hekurudhë kineze  që do të lidhë Budapestin me Selanikun dhe do të sjellë mallra kineze në Evropë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore