Lajme

Scholz për mos-sanksionet e Serbisë ndaj Rusisë: Duhet të mbrojmë vlerat e përbashkëta të BE-së


Kancelari gjerman Olaf Scholz pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Berlin ka thënë se temë kryesore e bisedës me Vuçiç-in ishte dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, lufta në Ukrainë dhe mos-sanksionet e Serbisë ndaj Rusisë.

Ai vlerësoi se përparimi në dialog është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Procesi i normalizimit të marrëdhënieve është i rëndësishëm për stabilizimin, ne duhet të zgjidhim të gjitha çështjet e hapura në kuadër të dialogut, duhet guxim dhe të dyja palët duhet t’u përmbahen detyrimeve të tyre”, tha Scholz.

Kancelari gjerman po ashtu i bëri me dije Vuçiç-it, vendi i të cilit nuk i ka vënë sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë, se lufta është e papranueshme.

“Jemi në një situatë të vështirë dhe duhet të mbrojmë vlerat e përbashkëta të Bashkimit Evropian. Është shumë e rëndësishme që të gjithë të përcjellim mesazhin se lufta që filloi Rusia në Ukrainë nuk është e pranueshme, është një situatë shumë e vështirë në bota dhe unë jam i bindur se duhet të qëndrojmë më afër së bashku”, shtoi ai.

Kancelari gjerman ka theksuar se perspektiva e anëtarësimit të Serbisë dhe vendeve të tjera në rajon në Bashkimin Evropian duhet të jetë diçka që do të jetë e suksesshme dhe duhet të bëhet realitet.

“Është në interesin e rajonit dhe të Bashkimit Evropian që të hapen këto perspektiva, t’i ruajnë ato dhe t’i bëjnë ato vende shtete anëtare të BE-s”, shtoi Scholz.

“Gjatë bisedimeve tona biseduam për marrëdhëniet tona dypalëshe, marrëdhëniet ekonomike janë intensifikuar, jemi të lumtur që 400 kompani gjermane kanë krijuar mbi 70 mijë vende pune në Serbi dhe duam të inkurajojmë këtë zhvillim pozitiv”, tha Scholz.

Ai potencoi gjithashtu se Gjermania mbështet intenzivisht procesin e anëtarësimit në BE duke inkurajuar projekte dhe financime.

“Kjo perspektivë e pranimit të Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit duhet të jetë diçka që do të jetë e suksesshme dhe duhet të bëhet realitet. Ne e kemi këtë detyrë përpara në Evropë dhe unë personalisht do të avokoj për përmirësimin e këtij procesi”, theksoi Scholz.

Sipas tij, “është e rëndësishme që Serbia të vazhdojë me reformat në sundimin e ligjit, veçanërisht në çështjen e luftës kundër krimit të organizuar”.

“E përcolla shqetësimin e Vuçiç-it për situatën në BeH dhe veçanërisht për tendencat e Milorad Dodik, është e rëndësishme të ruhet stabiliteti në BeH, të mundësohet zhvillimi konstruktiv. Ne jemi dakord se kemi potencial të madh për të zhvilluar Ballkanin Perëndimor dhe për ta afruar atë me BE. Krijimi i një tregu të përbashkët rajonal duhet të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore