Lajme

A po hetohet deputeti Shkreta nga AKK-ja për mosdeklarim të pasurisë? – Flet drejtori Yll Buleshkaj për AP


“Në rast që mund të vërtetohet qe të hollat janë mbajtur kesh nga viti i kaluar, dhe nuk janë raportuar, mund të konsiderohet shkelje”, tha drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, kur është pyetur nga Albanian Post për rastin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, i cili ka njoftuar se i janë vjedhur 50 mijë euro në banesën ku jeton.

Ai ka shtuar se raporti i dorëzuar përmes formularit të pasurisë nga deputeti e mbulon periudhën kohore 1 janar-31 dhjetor 2021, “ndërsa ngjarja që ju keni përmendur ka ndodhur në fund të qershorit 2022, rrjedhimisht krahasimi mund të mos jetë i drejt. Raportimi për pasurinë dhe të hyrat bëhet në vitin 2023”.

Shkreta, në një reagim në Facebook, ka potencuar se po sulmohet padrejtësisht nga disa qarqe, “të cilët, përveç që po na sulmojnë padrejtësisht e po dezinformojnë, po kujdesen që të mos flitet për vjedhjen dhe aktin e rëndë vjedhjes e të rrezikimit të sigurisë së një familje me dy fëmijë të vegjël”.

“Prandaj, tendenca për ta lidhur gjithçka me këtë post është qëllimkeqe dhe thellësisht e padrejtë, aq më tepër kur e njëjta lidhet edhe me qëndrimet dhe deklarimet e mia politike. Ftoj të gjithë miqtë e qytetarët, por edhe mediat, të jenë sa më bashkëpunues me organet e drejtësisë, ashtu siç bëmë ne kur iniciuam menjëherë rastin, në mënyrë që keqbërësit të kapen e të marrin përgjigjen e duhur, e në mënyrë që fëmijët tanë të rriten të sigurt në një shtet të së drejtës”.

“Rrugëtimi im profesional nuk është vetëm në fushën e politikës. Për të gjithë opinionin e gjerë, ne jemi një çift mjekësh, të cilët e ushtrojnë me nder e dinjitet këtë profesion prej më shumë se 20 vitesh dhe gëzojnë respektin e të gjithë pacientëve, studentëve, kolegëve dhe të njohurve të tyre”, shtoi ai.

Ai ka potencuar se asnjëherë nuk ka pasur pozita ekzekutive dhe i ka përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet në lidhje me deklarimin e pasurisë.

“Të njëjtën do ta bëj edhe për deklarimin e këtij viti në mars të vitit 2023, ashtu siç thotë ligji”.

Megjithatë, në vitin 2013, Shkreta ishte dënuar për mosdeklarim të pasurisë pranë Agjencisë Antikorrupsion, kur kishte pasë pozitën e asamblistit.

Gjykata Themelore në Ferizaj, në vitin 2013 e kishte dënuar me 300 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore