Lajme

Hoxhaj pas takimit me Peach dhe Abboott: Dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë


Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka njoftuar në Facebook se është takuar me Emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach  dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, derisa sipas Hoxhajt dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë epilog njohjen e ndërsjellë.

“E rëndësishme mbështetja britanike për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nga i cili duhet të rezultojë njohja e ndërsjellë dhe për të përballuar kërcënimet e akterëve joperëndimor në Ballkan”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Peach gjatë së enjtes ka takuar edhe liderët shtetëror të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët e Kosovës”.

“Me rol kyq në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Prandaj sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët tanë”.

Ndërkaq në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, pas takimit të Albin Kurtit me Peach, është bërë e ditur se britaniku i ka thënë Kurtit se është “i gatshëm dhe i vullnetshëm për të ndihmuar në procesin e dialogut”.

Pas vizitës së tij në Beograd ushtaraku Peach përmes një video-mesazhi ka potencuar se shteti i tij mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e të cilën e konsideron si të vetmen rrugë drejtë Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore