Lajme

Hoxhaj: Nën qeverisjen e Kurtit, Kosova s’ka politikë të jashtme


Enver Hoxhaj

Sipas nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, diplomacia e Kosovës, nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht kryeministrit Albin Kurti, është kthyer “në një instrument të krijimit të degëve partiake në diasporë sot!”.

Këto komente, ish-kryediplomati i Kosovës i ka bërë në muajin e përvjetorit të njohjes së Singaporit, për të cilën, siç tha Hoxhaj, “është marr falë një politike të jashtme të suksesshme të Kosovës, pas disa vizitave në Singapor dhe duke ndjekur hap pas hapi, sikurse tregon ky dokument i komunikimit diplomatik të vitit 2016 në mes të MPJ-së së Singaporit dhe Kosovës”.

Dokumeti i publikuar nga Enver Hoxhaj.

“Në qeverisjen e Albin Kurtit, Kosova nuk e mori asnjë njohje dhe sot Kosova nuk ka as politikë të jashtme, as ministri dhe as diplomaci!”.

Në më shumë se dy vjet qeverisje, qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, nuk i ka sjellë asnjë njohje Kosovës, çka është kritikuar si nga opozita, por edhe nga njohës të politikës së jashtme, si dështim i këtij ekzekutivit.

Përveç se nuk i ka sjellë asnjë njohje vendit, qeveria e Kurtit, nuk e ka asnjë sukses në arenën ndërkombëtare, madje nën drejtimin e tij, Kosova – për herë të parë në histori – është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, kanë ardhur si pasojë e veprimeve të qeverisë në Veri të vendit.

Ndërsa, njohja e fundit për Kosovën, ka ardhur më 4 shtator të vitit 2020, nga Izraeli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore