Lajme

Hoxhaj: Asnjëherë s’do të dorëzohemi, deri sa flamuri i Kosovës të valojë në OKB


Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka uruar 14 vjetorin e Kosovës, duke thënë se është një ditë motivimi e inspirimi për të reflektuar për të arriturat e deritanishme dhe Kosovën e së ardhmes.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka shpërndarë një video me momentin kur ish kryeministri në atë kohë Hashim Thaçi shpalli Kosovën të pavarur dhe sovrane.

“Juve që pavarësinë e keni pasur besim, dhimbje dhe shpresë. Shpesh e me shumë emocione e kujtoj mëngjesin e 17 shkurtit 2008. Është një ditë motivimi e inspirimi për të reflektuar për të arriturat e deritanishme dhe Kosovën e së ardhmes”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Hoxhaj, u shpreh se Kosova nuk do të dorëzohet deri sa flamuri i saj të valojë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara

“Përjetësisht mirënjohës partnerëve e aleatëve tanë kudo nëpër botë për përkrahjen ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Asnjëherë nuk do të dorëzohemi, deri sa flamuri i Kosovës të valojë në OKB dhe Kosova të bëhet anëtare e plotë në familjen euro-atlantike. Gëzuar 🇽🇰”.

Ai ka kujtuar edh ish liderët e Kosovës të cilët po qëndrojnë në Hagë.

“Sot, në 14 vite shtetësi, jemi me liderët e Kosovës që padrejtësisht gjenden në Hagë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli të cilët punuan çdo ditë për zhvillimin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve. Çdo moment të jetës së tyre ia kushtuan përmbushjes së amanetit të dëshmorëve për liri e pavarësi”.

Ndryshe, 17 shkurti në Kosovë, filloi me ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit në oborrin e përbashkët të Presidencës dhe Qeverisë në Prishtinë.

Nën tingujt e himnit të flamurit dhe nderimet e Presidentes Vjosa Osmani, Kryeministrit lbin Kurti, Kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe Komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari, flamuri u ngrit në ora 8 të mëngjesit të kësaj dite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore