Lajme

Hoxha: Në vend të llogaridhënies nga qeveria, ne u dhunuam


Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, pas rrahjes që ndodhi në Kuvend në mes të deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar ka thënë se qeveria në vend të llogaridhënies për skandalin e audio-përgjimeve ku dëgjohet shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, duke koordinuar politika shtetërore me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç, ata kanë dhunuar deputetët e opozitës.

“Përballë aferës më të madhe në Kosovë ‘Zdravo’, e cila shfaqi bashkëpunimin e pushtetit me Milan Radojiçiç, sot në vend të llogaridhënies dhe përgjegjësisë që deputetët e opozitës kërkuan, ne u dhunuam”, tha Hoxha para gazetarëve.

Hoxha theksoi se deputetët e PDK-së këtë të enjte kanë ardhur në kuvend “për të kryer detyrën tonë të zakonshme”, siç thotë ajo “për të kërkuar llogaridhënie nga kjo qeveri pikërisht për këtë skandal, dhe për koordinimin me Radojiçiç-in dhe Listën Serbe”.

Aksioni ynë simbolik, thotë ajo – duke iu referuar veprimit ku deputeti Mergim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Albin Kurti – irritoi zëvendëskryeministrin (Besnik Bislimi) i cili më pas sulmoi kolegun tim Mergim Lushtaku”.

“Ai as nuk e gjuajti me molotov, as me zoll, as me gaz lotsjellës, as me vezë e as me shishe, përveç se i freskoi pak me shishe në këtë situatë të tensionuar pas këtyre përgjimeve”, shtoi ajo, duke iu referuar veprimeve që Lëvizja Vetëvendosje i kishte bërë gjatë kohës sa kishte qenë në opozitë.

“Ne ishim aty për të kryer obligimet tona si deputetë, por u provokuam dhe u sulmuam nga zëvendëskryeministri Bislimi, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati”.

Si filloi përplasja në kuvend?

Pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hunda të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nga vendi i tij shkoi hoqi letrën dhe e grisi.

Më pas deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti, derisa prapë Besnik Bislimi e goditi me shishe Lushtakun.

Ky ishte edhe fillimi i përplasjes në mes të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Krejt kjo ndodhi derisa Kurti po mbante fjalimin e tij duke treguar se qeveria ka pasur suksese në Veri.

“I kemi fituar zgjedhjet me 438 mijë vota me datën 14 shkurt 2021. Pesë ditë ish-Qeveria para se të bëhemi ne Qeveri është hekur fletëarresti ndaj këtij kriminelit Radojiçiç. Në Qeveritë e mëhershme ky kriminel ka qenë në Mitrovicë dhe në Prishtinë tash kontributi ynë është që është në hotelin Kopaunik në anën tjetër të kufirit, në anën e Serbisë”.

Si filloi përplasja – Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit, Besnik Bislimi goditi me shishe Lushatakun

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore