Lajme

Hoxha: LVV e shfrytëzoi shoqërinë civile për pushtet, tash s’e lënë të jetë pjesë e proceseve


Eliza Hoxha

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën, akuzoi ekzekutivin kosovar nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për mashtrim, duke thënë se në opozitë e ka shfrytëzuar shoqërinë civile për të fituar pushtet, ndërsa tash nuk e lejon të marrë pjesë në procese publike.

Reagimi i deputetes së PDK-së vjen pas padisë së ngritur nga disa organizata joqeveritare (OJQ) ndaj ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), Liburn Aliu, i cili akuzohet se i ka dhënë “fshehurazi” leje mjedisore kompanisë “Kelkos”, duke neglizhuar gjendjen e shkatërruar të mjedisit dhe mohuar pjesëmarrjen publike.

“Krejt agjenda e LVV në opozitë ka qenë kundër qymyrit se duhet me pas mjedis ma të mirë, e njëkohësisht edhe kundër çdo operatori të burimeve të ripërtërishme duke e demonizuar secilin akter e proces… E kanë shfrytëzuar shoqërinë civile për agjendën e vet për pushtet dhe sot të njëjtën e shpërfillin dhe nuk e lënë të jetë pjesë e proceseve”, ka shkruar ajo.

Për këtë aryse, deputetja Hoxha ka pyetur në mënyrë retorike se çka po fsheh ministri Aliu, duke kërkuar që dokumentet zyrtare të jenë të qasshme. Madje, ajo i ka cilësuar “mashtrues të paparë” zyrtarët e partisë në pushtet, pikërisht për faktin se në kohën sa ishin në opozitë, patën thirrur seancë urgjente në Kuvendin e Kosovës për çështjen “Kelkos”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore