Lajme

Hoxha: Kurti dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru


Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha, përmes një konference për media ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për t’i lënë nxënësit pa mësim dhe mësimdhënësit e shërbyesit civilë pa paga.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se kryeministri Kurti që dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru, duke u shpallur luftë mësimdhënësve, sepse ai nuk do dialog social, por nënshtrim.

“Albin Kurti, Hekuran Murati  dhe Arbërie Nagavci sot i kanë lënë fëmijët e Kosovës pa shkuar në shkollë. Sot ishte dashur të ishte ditë feste në gjithë Kosovën, e sidomos për fëmijët që nisin klasën e parë e që shkëlqimin e syve të tyre sot nuk e panë as prindërit e tyre. Sepse, Albin Kurti që dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru. Albin Kurti u ka shpallë luftë mësimdhënësve duke i lënë pa paga sepse janë në grevë dhe duke e prekur kështu në themel mirëqenien e tyre edhe ashtu solide e të rënduar”, tha Hoxha.

Hoxha theksoi se mësimdhënësit e Kosovës sot është dashur t’i kenë pagat edhe ashtu të pamjaftueshme në llogari, për të mbuluar kreditë dhe shpenzimet elementare të mbijetesës, por ata po injorohen totalisht nga qeveria.

“Pra, si ka mundësi që fokusi i kësaj qeverie janë është vetëm tek nxënësit ndërsa mësimdhënësit të përjashtuar nga harta e interesit institucional. Mbi 340,000 fëmijë sot janë jashtë bankave shkollore. Mbi 80,00 familje e kanë mirëqenien e rënduar për shkak të ndalesës së pagave të anëtarëve të tyre. Hoxha tha se sot Kosova është në terr energjetik dhe edukativ, si rezultat i mendjeve të errësuara të Qeverisë Kurti”.

“Sot jemi në terr energjetik. Sot jemi në terr edukativ. Dhe krejt kjo është rezultat i mendjeve të errësuara të kësaj qeverie”, theksoi ajo.

Ndërkaq, Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben M. Mustafa theksoi se Kosova po kalon nëpër një krizë të rëndë ekonomike, për shkak të paftësisë së Qeverisë Kurti, e cila është dorëzuar para këtyre vështirësive.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, rritje domethënëse të të hyrave ka shënuar vetëm Qeveria, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së çmimeve, të cilat po zhvlerësohen çdo ditë nga inflacioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore