Lajme

Hovenier uron kadetët e rijnë të Policisë së Kosovës


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka uruar 419 policët e rijnë të cilët kanë diplomuar këtë të premte në ceremoninë e 58-të të Policisë së Kosovës.

Përmes një cicërime në llogarinë e tij në rrjetin social “Twitter”, ka shprehur “përgëzimet e mia të përzemërta për kadetët e rinj të Policisë së Kosovës për ditën e diplomimit!”.

“Veçanërisht i kënaqur të di që kjo klasë përbëhet nga përfaqësues të ndryshëm nga mbarë Kosova”, shkroi ai në “Twitter”.

Policia e Kosovës, pohoi diplomati amerikan “ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë”, duke shtuar se “ky është një hap tjetër drejt sigurimit të përbërjes së tyre që pasqyron Kosovën në të gjithë diversitetin e saj”.

419 policë të rinjë kanë diplomuar në ceremoninë e gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e diplomimit të policëve kanë marr pjesë personalitetet më të larta shtetërore, përfshirë përfaqësues nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj ka përgëzuar policët e rinj, duke u shprehur se është shumë krenare për secilin prej tyre.

“Më lejoni të ju shpreh urimet e mija më të përzemërta secili prej jush, të diplomosh në akademinë e policisë nuk është një arritje e vogël, ajo kërkon disiplinë, këmbëngulje dhe një dëshirë të vendosur për të mbështetur parimet e drejtësisë, të sigurisë dhe shtetit të së drejtës”.

“Ju keni dëshmuar që zotëroni cilësitë e nevojshme për të shërbyer si gardianë të shtetit”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se është e lumtur që në mesin e policëve të rinj ka edhe policë nga radhët e komunitetit.

“Jam e lumtur që në mesin e 419 policëve të rinj, kemi 85 policë nga radhët e komunitetit joshumicë dhe 47 vajza e gra që rikonfirmon tashmë besimin e madh të qytetarëve tanë edhe nga radhët e komuniteteve në policinë tonë dhe vendosmërinë e grave dhe vajzave tona, për të shërbyer e kontribuar në misionin e sigurisë e lirisë”.

Ajo tutje policëve të rinj u tha se, “mbrojtjen e kufirit e keni përgjegjësi, anëtarësimi në Interpol e Europol është domosdoshmëri”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para 419 policëve të rijnë tha se “janë vijmësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe “si pjesëtarë të Policisë do të jenë pjesë e historisë”.

Kreu i ekzekutivit, Policinë e konsideroi si njërin nga institucionet më të besueshme për qytetarët.

Sipas tij në dy vjetet e fundit, Policia e Kosovës ka vijuar me intensitet të madh punën edhe në Veri të vendit, që sipas tij, në të kaluarën ka qenë zonë e rehatisë për “bandat kriminale të udhëhequra nga Beogradi”.

“Janë arrestuar mbi 3 mijë e 200 persona për dhunë, vrasje, kanosje e deri në përfshirje për akte terroriste. Aktiviteti i Policisë sonë është shtrirë edhe në veri të vendit. Pesë zyrtarë janë lënduar lehtë e disa të tjerë më rëndë. Të gjitha këto rezultate e sakrifica janë dëshmi se kjo detyrë kërkon bindje të pa kompromis”.

“Policia jonë është vijimësi e UÇK-së. Liria jonë ka ardhur pas sakrificave të brezave të tërë për liri e çlirim nga okupatori serb. Si pjesëtarë të Policisë së Kosovës, do të jeni pjesë e historisë së vendit tonë dhe përpjekjeve tona për ta forcuar Republikën tonë”.

Kurti e Osmani në diplomimin e 419 policëve të rinjë: Keni dëshmuar që zotëroni cilësitë e nevojshme si gardianë të shtetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore