Lajme

Hovenier: Mos u harroftë Reçaku dhe ndihma e SHBA-së ndaj popullit të Kosovës


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, përkujtoi 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, duke thënë se askush nuk duhet të harrojë apo mohojë çfarë ngjau në këtë fshat të vogël të komunës së Shtimes, rreth 30 kilometra larg kryeqytetit, më 15 janar të vitit 1999, kur policia dhe ushtria serbe vrau dhe masakroi 45 civilë shqiptarë.

“Në fjalët e Dr. Martin Luther King: ‘Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo’. Askush të mos harrojë apo mohojë atë që ndodhi në Reçak, apo pse SHBA dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës. E mbaj mend mirë atë ditë”, shkroi ai në platformën “X” të hënën në përkujtim të 25-vjetorit të një prej masakrave më të llahtarshme të Serbisë në Kosovë.

SHBA-ja reagoi me zemërim ndaj masakrës së 45 civilëve shqiptarë atëbotë, ndërsa Serbia edhe sot bën përpjekje për t’i mohuar krimet e luftës. Masakra e Reçakut shënoi edhe kthesën e luftës, sepse vendet perëndimore nën udhëheqjen e SHBA-së, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike, më 24 mars 1999, filluan bombardimin e Serbisë përmes forcave të NATO-s.

Reçaku ishte një episod tjetër në serinë e gjatë të vrasjeve masive, një ngjarje tronditëse dhe tmerruese, mizoria e së cilës mund të matet me anë të peshimit të hirit dhe plagëve që mbeten të hapura. Çerek shekulli më pas, në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre, bëhen homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, ku janë të gdhendur emrat e çdo personi të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore