Lajme

Hovenier: Kosovarët janë me Ukrainën


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se kosovarët qëndrojnë me Ukrainën ndaj kërcënimet që Rusia ia bën shtetit të Evropës lindore.

“Kosovarët qëndrojnë me Ukrainën. Kërcënimi i Rusisë ndaj Ukrainës është kërcënim ndaj vlerave demokratike çdo kund. Kjo është për parimet themelore, jo të negociueshme, duke përfshirë të drejtën e qenësishme të qytetarëve për të përcaktuar të ardhmen e vendit të tyre”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Ndërkaq më 22 janar, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se “Republika e Kosovës qëndron me Ukrainën”.

Se situata mund të përshkallëzohet lehtësisht në një luftë të hapur, ka njoftuar edhe agjencia e lajmeve “Reuters” ku përmes një shkrimi ka parashikuar skenarët e mundshëm energjetik nga konflikti i hapur në kufi mes Ukrainës dhe Rusisë, duke theksuar se vendi do të ketë rezerva vetëm për një javë.

Kjo, pasi ushtria ruse mund të godasë objektet e furnizimit me energji të Ukrainës – në rast të një konflikti të hapur.

Zyrtarët ukrainas pretendojnë që Rusia ka grumbulluar të paktën 127 mijë trupa në pika të ndryshme përgjatë kufirit, duke përfshirë Krimenë e pushtuar dhe dy rajonet separatiste Donetsk dhe Luhansk.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore