Lajme

Hovenier: Dallimet po ngushtohen – Kosova dhe Serbia janë afër zbatimit të marrëveshjeve


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka konfirmuar se dallimet midis Kosovës dhe Serbisë për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) janë ngushtuar kohën e fundit, posaçërisht pas takimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në nëntor.

Në një intervistë për televizionin “7” të enjten, ambasadori amerikan ka thënë se Kosova dhe Serbia janë më afër arritjes së mirëkuptimit rreth mënyrës më të mirë për zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Gjithashtu, mendojmë se kjo është çështje me rëndësi dhe mjaft urgjente. Sa i përket pyetjes suaj se a po zbatohet plotësisht, mendoj se përgjigja është jo, jo ende, por po ashtu e di që po vazhdon puna përkitazi me përfaqësuesin e BE-së, Mirosllav Lajçak, dhe ekipin e tij, për t’u përpjekur për të ardhur deri te një mirëkuptim i përbashkët”, ka thënë ambasadori Hovenier.

Ai ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet t’i përmbushë një varg të kritereve të ndryshme: duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vendimin Gjykatës Kushtetuese dhe nuk duhet të krijojë një nivel të tretë të pushtetit apo qeverisjes. Dhe, draft-statuti i propozuar nga bashkësia perëndimore, sipas tij, i plotëson të gjitha kriteret.

“Pra, ne – dhe partnerët tanë evropianë – e vlerësojmë që ky draft-statut, i cili i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbushë këto kritere. I përmbushë ato; është kufizuar në ato mënyra. Prandaj, jemi të bindur se mund të ecë më tej si i tillë”, ka nënvizuar ambasadori amerikan, derisa i është përgjigjur edhe insistimit të Qeverisë së Kosovës për nënshkrimin e marrëveshjeve.

“Natyrisht që mund të ketë zbatim pa nënshkrime. Sërish, vetëm mund ta theksoj qëndrimin e SHBA-ve – dhe qëndrimin e BE-së – por, qëndrimi i SHBA-ve siç është shprehur nga i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, ne i konsiderojmë këto detyrime ligjërisht të detyrueshme”, ka shtuar ndër të tjera diplomati amerikan.

Duke komentuar mbi afatet kohore dhe mundësinë e progresit para vitit të ri, ndonëse ka pohuar se ende duhet të punohet shumë për të gjetur mirëkuptimin e përbashkët dhe të arrihet pajtimi se si të realizohet zbatimi i marrëveshjeve, ka shtuar se të dy palët të ndërmarrin hapa pak a shumë të barabartë dhe pak a shumë njëkohësisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore