Lajme

Hoti thotë se Kurti e Osmani janë pajtuar “për autonomi” për serbët në Veri


Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka shpërndarë një artikull të mediumit amerikan Fox News për vizitën e Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Ballkan në fund të muajit të kaluar, ka thënë se kryeministri i Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, janë pajtuar që Serbia ta njohë de facto Kosovën dhe Prishtina të lejojë autonomi për serbët.

“Ja për çfarë janë pajtuar Kurti-Osmani në fillim të këtij viti. Nëse nuk është e vërtetë kjo që ka thënë zonja Ursula von der Leyen, Kryeministri dhe Presidentja duhet ta demantojnë menjëherë. Është obligim i juaj, dilni dhe sqaroni qytetarët”, shkroi Hoti në Facebook.

Ndërsa dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Kuvend, potencoi se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë, ka qartësi sa i përket njohjes së Kosovës.

“Në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, pati thënë Kurti.

Sipas tij, kjo qartësi nuk paraqet “Zajednicën” të paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, sepse “asisoj do të ishte i padiskutueshëm”.

Ai megjithatë potencoi se draft-statutin zyrtarisht ende nuk e ka pranuar.

“Unë sot, me aq sa mundem, do të flas rreth këtij propozimi, por pa detaje, sepse ndërkombëtarët kanë kërkuar ta respektojmë kërkesën për konfidencialitet. Ata duhet dhe do ta publikojnë për të ofruar më shumë transparencë në proces”, shtoi Kurti.

Kurti thotë se drafti që e ka pranuar për Asociacionin është i mirë, “nuk është Zajednicë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore