Lajme

Hoti takohet me Joseph: Për LDK-në, zgjidhja e vetme është dialogu dhe koordinimi me aleatët


Ish kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe njohësi i rrethanave politike në rajon Edward Joseph.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti është takuar me ligjëruesin universitar, njohësin e rrethanave politike në rajon dhe analist i politikës së jashtme, Edward Joseph të cilin e ka konsideruar si “mbështetësin më të fortë të integrimit euro-atlantik të Kosovës”.

Hoti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kanë biseduar rreth zhvillime politike dhe rëndësinë për stabilitet në rajon.

“Zhvilluam një bisedë shumë përmbajtjesore për zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe rëndësinë për stabilitet në rajon. Z.Joseph është njohës shumë i mirë i zhvillimeve politike në Ballkan. I dëgjova me shumë interes pikëpamjet e tij lidhur me situatën aktuale”, ka shkruar Hoti.

Tutje ai ka treguar edhe pikëpamjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për dialogun.

“Theksova se, Kosova duhet të jetë promovuese dhe kontribuese e stabilitetit rajonal. Tregova pikëpamjet e LDK-së për dialogun dhe zhvillimet aktuale politike. Për LDK-në, zgjidhja e vetme është dialogu dhe koordinimi me aleatët tanë”.

“Marrëveshja gjithëpërfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve është zgjidhja e vetme që siguron paqe të përhershme në këtë pjesë të Evropës”.

Më 20 shtator, Hoti kishte renditur pesë pika të cilat sipas tij tregojnë “degradimin e dialogut nga Qeveria e tanishme”.

“Nga viti 2018, kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin për dialog të Qeverisë Haradinaj, aleatët dhe forcat politike në Kosovë, përfshirë edhe partinë që sot është në pushtet, janë dakorduar dhe kanë krijuar konsensus se dialogu do të zhvillohet vetëm për marrëveshje”, ka shkruar ai në Facebook.

Si pikë e parë sipas Hotit ka qenë njohja përfundimtare, derisa e dyta njohja e obligueshme e cila do duhej të ratifikohej në Kuvend nga dyja palët.

E treta, me garanci ndërkombëtare ku BE-ja dhe ShBA-ja marrin zotimet për zbatim të zbatim të marrëveshjes dhe për integrimin euro-atlantik të Kosovës.

Ndërsa e katërta sipas Hotit, ka qenë normalizim i marrëdhënieve ku adresohen të gjitha çështjet vetëm sipas standardeve evropiane të fqinjësisë së mirë.

Dhe e pesta, njohja reciproke.

Deputeti i LDK kishte thënë së në ditët në vijim do t’i shpalos në detaje dhe me fakte si ka “evoluar” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lidhur me dialogun nga takimi i parë deri në takimin e fundit dhe nga koha kur bënte “opozitë të dhunshme” e deri sot kur është i gatshëm të zbatojë asociacionin dhe të trajtohet si pikë e veçantë statusi i kishës ortodokse serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore