Lajme

Hoti: Buxheti për vitin 2023 më i ulët sesa i vitit 2022


Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, buxhetin e Kosovës për vitin 2023 e konsideron si shumë më të ulët sesa atë të vitit 2022.

Kështu është shprehur Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Për shkak të inflacionit prej rreth 20% për produkte të konsumit bazik, buxheti nominal për vitin 2023 prej 3.2 miliardë euro, është në fakt rreth 2.5 miliardë euro në terma real.  Rrjedhimisht, ky buxhet në terma real është më i ulët se për vitin 2022 për së paku 300 milionë euro (sivjet ka qenë 2.8 miliardë euro)”.

Sipas tij, qytetarët duhet të krahasojnë mallrat që mund t’i blejnë me 100 euro.

“Krahasojeni vetë sasinë e mallrave që e keni blerë vitin e kaluar me 100 euro, me sasinë e mallrave që mund të blini sivjet me ato 100 euro. Do të vini në këtë përfundim”, ka shkruar Hoti.

Opozita vazhdimisht e ka kritikuar ndarjen e buxhetit nga Qeveria e Kosovës.

Hoti, menaxhimin e buxhetit nga Qeveria e Kosovës e kishte konsideruar si “dështimin më të madh ekonomik që është parë në dekada”.

“Sipas raportit të buxhetit për janar-shtator 2022, vetëm 21% e investimeve kapitale janë realizuar (158 mil nga 764 mil të planifikuara). Kjo është 29% më pak se më 2021 dhe 24% më pak se më 2020”.

Edhe, deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami ka thënë se buxheti për vitin 2023 nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të pagave e as rritjen e pensioneve.

Bajrami përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se një buxhet i tillë nuk i përshtatet një kohe të tillë.

“Kur Kosova po përballet me inflacion, Qeveria e Kosovës ka propozuar ‘buxhetin më të madh në histori’, ku nuk përfshinë rritje të pensioneve. Nuk ka paraparë as kosto për zbatimin e Ligjit të pagave. Pra, nuk ka paraparë rritje pagash, nuk ka paraparë as indeksim të pensioneve dhe pagave për normën e inflacionit”, ka shkruar Bajrami.

Madje, Bajrami deklaroi se LVV fokusin kryesor e ka në temën e targave.

Hoti e Bajrami kritikojnë Qeverinë për menaxhimin e buxhetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore