Sport

Historike/ Gjithçka gati për të filluar Ligën Unike për femra


E mërkura e 24 nëntorit do të jetë një ditë historike për basketbollin e femrave në hapsirën shqiptare. Për herë të parë do të organizohet Liga Unike për femra në basketboll.

Në turne do të marrin pjesë gjashtë skuadra. Tre nga Shqipëria dhe tre nga Kosova. Gjithsej do të luhen 10 javë me sistem vajtje-ardhje. Më pas do të jetë dhe faza e play-off.

Fillimisht u organizua Superkupa Mbarëkombëtare për femra. Ajo u mbajt në Vlorë dhe kampione u shpall Penza e Pejës, e cila aktualisht është dhe kampionia në fuqi e Kosovës.

Në ditën e parë të Ligës Unike për femra do të ketë dy përballje. Ndeshja e parë do të luhet të mërkurën duke filluar nga ora 17:00. Do të jetë një përballje kryeqytetesh mes Tiranës dhe Prishtinës që synojnë fitoren.

Po të mërkuren, duke filluar nga ora 19:00 do të përballet Bashkimi me Partizanin. Edhe kjo përballje do të jetë mes dy klubeve që synojnë fitoren.

Të enjten do të jetë përballja e fundit e javës së parë. Flamurtari i Vlorës do të presë Penzën, duke filluar nga ora 17:00.

Vlonjatet kanë fituar Kupën e Shqipërisë në edicionin e fundit. Ndërsa, pejanet siç e përmendëm dhe mësipër kanë fituar Superkupën Mbarëkombëtare dhe Superkupën e Kosovës.

Kjo përballje nuk është fare pa histori, pasi dy skuadrat u përballën gjatë Superkupës Mbarëkombëtare. Ishin vajzat nga Peja që triumfuan me rezultatin 70:79, për të shkuar më pas në finalen e madhe, të cilën e fituan përballë Prishtinës.

Liga Unike femra- Java 1

E Mërkurë

17:00 Tirana – Prishtina

19:00 Bashkimi – Partizani

E Enjte

17:00 Flamurtari – Penza

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore