Lajme

Historiani serb: Vuçiç nuk është aq i fortë siç paraqitet, në Uashington nuk guxoi të kërkonte karrige për t’u ulur


Milan Protic

Historiani serb dhe ish-ambasadori i Jugosllavisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Milan Protiç, tha se politikanët serbë, veçanërisht presidenti Aleksandër Vuçiç, janë “më të vegjël se fara e lulëkuqes” kur takojnë liderët perëndimorë dhe diskutojnë për çështje madhore.

“Është një gjë se si iu bien borive dhe si mburren e rrahin gjoksin këtu. Kur takohen me të huajt janë më të vegjël se fara e lulëkuqes. Ata nuk duhet të thonë asgjë. Sepse mbajnë mbi vete kompleksin që nuk vlejnë aq sa paraqiten”, tha ai, transmeton gazeta opozitare serbe “Nova”.

Protiç tha se më 4 shtator të vitit 2020, kur në Uashington u nënshkrua marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump, presidenti serb “nuk guxoi të kërkonte një karrige tjetër”.

“Mos harroni se ky djalë nuk u lejua të ndërronte karrigen e tij në Shtëpinë e Bardhë, kështu që ai ishte ulur në një stol. Sikur do ta pushkatonin nëse pyeste dikë, në radhë të parë presidentin e SHBA-së. Ai mund të kishte kërkuar – më falni President, a mund të më ndërroni karrigen?”, shtoi Protiç.

Ndryshe, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë edhe një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Po ashtu një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të Emisarit Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Marrëveshjes që në fund pritet të përbëjnë një dokument të njësuar.

Në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por me nenin 7 dhe 10 parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore