Lajme

Historiani serb: Pavarësisht nëse Vuçiç dinte apo nuk dinte për sulmin terrorist në Banjë, ai është një person jo i besueshëm


Milan Protiç

E vetmja gjë që mund të kishte bërë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç pas sulmit terrorist në Banjë do të ishte arrestimi i të gjithë terroristëve, t’i sillte para gjykatës sa më shpejt që të ishte e mundur dhe të zëvendësonte pesë njerëzit kryesorë të sistemit të sigurisë.

Kështu të paktën ka thënë historiani ser Milan Protiç në një intervistë për gazetën serbe “Vreme”.

“Po t’i kishte bërë këto në dy ditët e para pas Banjës, Vuçiç do të ishte në një pozitë të shkëlqyer – do ta mbyllte historinë pa asnjë presion, do të tregonte se e kuptonte se çfarë ndodhi”, pohon Protiç.

Ai është i bindur se edhe publiku në Serbi do të mirëpriste lëvizje të tilla të Vuçiç-it, si një njeri që bën atë që duhet bërë, zëvendëson zyrtarët brenda natës.

Protiç ndër të tjera ka potencuar se pavarësisht nëse Vuçiç e dinte apo nuk dinte për sulmin terrorist në Banjë, ai duket si një person jo i besueshëm.

“Sepse nëse nuk e ka ditur, do të thotë se ka forca brenda sistemit që nuk i kontrollon. Nëse e ka ditur, atëherë është burimi i de-stabilitetit. Besoj se ky është problemi më i madh që duhet të zgjidhet tani”, shton ai.

I pyetur se pse konstaton se Vuçiç ka telashe, Protic thotë se “gjërat po ndryshojnë, të paktën në retorikë”.

“Po mendoj për Rezolutën e Parlamentit Evropian dhe vizitën e përfaqësuesve të QUINT-it. Vuçiç u përpoq të gjente hapësirë ​​për manovrim duke shkuar në Pekin dhe duke u takuar atje me Putinin. Ajo dërgon një mesazh se ka alternativa dhe se nuk është plotësisht e varur nga Perëndimi. Nuk e di sa efektive do të jetë. Me zgjedhjet e ardhshme pozita e tij do të jetë më e vështirë”.

Ai ka vlerësuar se Vuçiç tani është nën presion më të madh sesa mund ta imagjinonte ndonjëherë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore