Lajme

Hilli sulmohet verbalisht: Vrasësi shëtitë i lirë në Beograd


Derisa po ecte në sheshin e Beogradit me bashkëshorten e tij, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, është sulmuar verbalisht nga disa gra serbe të cilat e kanë ka quajtur “vrasës” duke e akuzuar për pjesëmarrjen e shtetit të tij në bombardimet e NATO-së ndaj Serbisë në vitin 1999.

“Ne nuk do t’ju falim kurrë për krimet tuaja. Vrasësi i fëmijëve po shëtitë nëpër Beograd, i ftohtë si vdekja, dëgjohet duke thënë njëra nga to në një video që është publikuar në rrjetet sociale.

Po ashtu dëgjohen duke i thënë Hillit se “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe se “populli serb është me Rusinë”.

Por, diplomati amerikan nuk reagonte dhe vazhdonte rrugën e tij në kryeqytetin serb.

Ndryshe, Hill që flet polonisht, serbo-kroatisht dhe maqedonisht, ka mbajtur poste të rëndësishme në diplomacinë amerikane.

Ai konsiderohet si një negociator i vështirë dhe këtë status e konfirmoi edhe gjatë periudhës kur ishte i dërguar special për Kosovën në negociatat e vitit 1999 në Rambuje të Francës, i cili luajti një nga rolet kryesore në negociatat që i paraprinë konferencës në Rambuje në vitin 1999, ku ishte pjesë e grupit të njohur si i kontaktit.

Diplomati amerikan shërbeu si ambasador në Irak, Kore, Poloni, Maqedoni e Shqipëri si dhe si ndihmës sekretar shteti për Azinë Lindore dhe Paqësorin dhe si kreu i delegacionit amerikan në bisedimet gjashtë-anëtarëshe për Korenë e Veriut.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore