Lajme

Hija e Orban-it: Liderët pararendin negociatat për të shmangur presidencën e tij në KE


Lëvizja Reformuese belge, partia e liberalëve frëngjishtfolës, rrezikon të shkaktojë një tërmet politik në krye të institucioneve evropiane.

Një efekt me përmasa ende të pasigurta, që ndoshta do të zgjidhet me disa pasgoditje të lehta.

Por që, të paktën nga pikëpamja teorike, mund të lëshojë një tërmet të aftë për të sjellë Viktor Orban në krye të Këshillit Evropian.

Presidenti aktual, Charles Michel, ka vendosur të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme për rinovimin e Parlamentit Evropian si kreu i partisë së tij (pikërisht Lëvizja Reformuese).

Çka nënkupton se ish-kryeministri belg do t’i duhet të përfundojë para kohe mandatin e tij, i cili skadon në nëntor.

Ndaj nga korriku, qoftë edhe përkohësisht, në krye të tavolinës së liderëve mund të jetë njeriu i aftë për të bllokuar marshin e makinës vendimmarrëse evropiane: Viktor “Mister Veto” Orban.

Kështu parashikojnë rregullat. Udhëheqjen e Këshillit Evropian e merr kryeministri i vendit që drejton semestrin e presidencës së BE-së. Dhe nga 1 korriku është radha e Hungarisë.

Ekziston një zgjidhje për të shmangur këtë skenar.

Por, për ta gjetur, 27 liderët do të duhet të mbyllin marrëveshjen për të gjithë paketën e emërimeve të BE-së në një kohë rekord, duke e përcaktuar atë në takimin e parë të dobishëm pas zgjedhjeve evropiane më 9 qershor: kalendari përfshin një samit më 27-28 qershor.

Gjetja e menjëhershme e një marrëveshjeje për presidencën e Komisionit, të Këshillit Evropian dhe për emrin e Përfaqësuesit të Lartë për politikën e jashtme të BE-së, duke respektuar ekuilibrin tradicional gjeografik dhe mbi të gjitha politik, nuk do të jetë aspak e thjeshtë.

Në vitin 2019, ishte i nevojshëm një samit i dytë i jashtëzakonshëm.

Për më tepër, këtë vit, votëbesimi i Parlamentit Evropian për Presidentin e ardhshëm të Komisionit do të bëhet vetëm në shtator.

Teorikisht ka kohë për të vendosur, por fantazma e presidencës Orban mund të bindë krerët e shteteve dhe qeverive ta përshpejtojnë.

Ka edhe një aspekt të dytë që nuk duhet nënvlerësuar: lëvizja e Michel mund të ushtrojë presion të mëtejshëm mbi Ursula von der Leyen, e cila ende nuk e ka shpallur synimin për të kandiduar për një mandat të dytë.

Kandidatura e Michel, e kombinuar me mbështetjen jo të qartë të kryeministres italiane Giorgia Meloni, mund ta bindë atë të luajë me kartat e saj të ekspozuara.

Mbase edhe ajo mund të kandidojë në listat e partisë së saj për një vend në Parlamentin Evropian.

Një hap i panevojshëm, por shumë i dëshiruar nga PPE.

Tashmë Michel ua kishte besuar qëllimin e tij disa liderëve, por vetëm atyre me të cilët ai është i lidhur nga një marrëdhënie e ngushtë besimi.

Ka të ngjarë që presidenti francez Emmanuel Macron të jetë në mesin e tyre, duke pasur parasysh ndjenjën mes të dyve.

Dhe nuk është mister që Michel synon të ketë një rol në raundin tjetër të emërimeve të BE-së, ndoshta si Përfaqësues i Lartë apo si një komisioner i fuqishëm.

Sigurisht që çështja nuk është trajtuar kurrë në mënyrë kolegjiale në tryezën e krerëve të shteteve dhe qeverive: tani që është zyrtare, ata mund të vendosin ta diskutojnë në samitin e ardhshëm të jashtëzakonshëm më 1 shkurt, atë që do të duhet të zgjedhë negociatat për buxhetin e përbashkët dhe ndihmën për Ukrainën, të cilat u ndërprenë në dhjetor për shkak të vetos së Orbanit.

Lind një pyetje sa i përket përshtatshmërisë së kësaj lëvizjeje: a mund të garantojë një President i Këshillit Evropian që përgatitet të zhvillojë një fushatë personale elektorale ekuilibrin e nevojshëm institucional në një fazë kaq delikate vendimmarrjeje?

Nga rrethi i Michel-it e lanë të filtrohej se nuk ka papajtueshmëri ligjore mes rolit të presidentit të Këshillit Evropian dhe atij të kandidatit për Parlamentin e BE-së.

Michel synon të largohet nga presidenca vetëm më 16 korrik, kur Dhoma Evropiane do të marrë zyrtarisht detyrën dhe është i bindur se kolegët e tij kanë të gjithë kohën e nevojshme për të gjetur një zëvendësues dhe për të sjellë përpara hyrjen e tij në detyrë pa rrezikuar një presidencë “Orban”.

Jo vetëm kaq.

Rregullorja, e cila, në rast të një vendi vakant, cakton udhëheqjen e Këshillit Evropian në presidencën e radhës, mund të modifikohet me shumicë të thjeshtë.

Pa mundur që lideri hungarez të vendosë veton e tij.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore