Muzikë

Hidhet poshtë padia që akuzonte këngëtarin Bob Dylan për sulm seksual


Bob Dylan

Një proces gjyqësor që akuzonte kantautorin amerikan Bob Dylan për sulm seksual ndaj një vajze 12-vjeçare në vitin 1965, u hodh poshtë.

Sipas dokumenteve të gjykatës, paditësja e ka pushuar vullnetarisht çështjen të enjten, shkruan “CNN”, përcjell “Albanian Post”.

Gjyqtarja Federale e Manhatanit, Katherine Polk Failla, e hodhi poshtë zyrtarisht dosjen “me paragjykim”, që do të thotë se çështja nuk mund të rikthehet.

Avokatët e Dylan thanë se paditësja, tashmë një grua rreth të 60-ave, e identifikuar me inicialet “JC”, “shkatërroi provat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet faktike qendrore në këtë proces gjyqësor”.

Orin Snyder, këshilltari kryesor i Dylanit, tha se: “ky rast ka përfunduar. Është skandaloze që u soll në radhë të parë”. Ai shtoi se rasti ishte një “mashtrim i drejtuar nga avokatët”.

Bob Dylan

Padia, e ngritur vitin e kaluar, pretendonte se Dylan u miqësua me vajzën në maj 1965 dhe “krijoi një lidhje emocionale” me të për të “ulur frenimet e saj me objektin e abuzimit seksual të saj, gjë që ai e bëri”.

Sipas padisë, episode të shumta abuzimi ndodhën në apartamentin e Dylanit në pikën e famshme të Manhatanit, Hotel Chelsea, në prill dhe maj 1965.

Padia më tej pretendonte se Dylan, tani 81 vjeç, përdorte drogë, alkool dhe kërcënime për dhunë fizike. Sipas padisë, vajza mbeti me plagë emocionale dhe probleme psikologjike. Një zëdhënës i Dylan tha se akuzat ishin “të pavërteta dhe do të mbrohen fuqishëm”.

Dylan ka shitur më shumë se 125 milionë disqe gjatë karrierës së tij. Disa nga këngët e tij më të famshme përfshijnë “The Times They Are a-Changin'”, “Like a Rolling Stone” dhe “Bloëin’ in the Ëind”.

Në vitin 2008, Dylan fitoi një citim special të çmimit ‘Pulitzer’ për “ndikimin e tij të thellë në muzikën popullore dhe kulturën amerikane, të shënuar nga kompozime lirike me fuqi të jashtëzakonshme poetike”. Në vitin 2016, ai u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi për “krijimin e shprehjeve të reja poetike brenda traditës së madhe të këngës amerikane”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore