Lajme

Haziri: Fushatë ‘sondazhi’ për të na sulmuar – s’ka kush na ndal


Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, konsideron se sondazhi i fundit i publikuar nga “UBO Consulting” në media, është sulm ndaj tyre duke mos e paraqitur realitetin.

Haziri, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka përmendur arsyet se përse është publikuar ai sondazh në atë formë.

“Një javë pas opozitarizmit racional e të faktuar, punës së jashtëzakonshme në terren me qytetarët, interpelancës për tenderët njëburimor dhe videos së djeshme të kryetarit të LDK-së, paskan tentuar me fushatë ‘sondazhi’ të na sulmojnë”.

Sipas tij, veprimet e tilla s’do ta ndalin partinë e tij.

“Ne ecim para drejt rikthimit të madh. Nuk ka kush na ndal. Ne kemi vendosur të punojmë deri në ditën e zgjedhjeve pa u ndal. LDK, shpresë e besë për  Kosovën!”.

Lidhur me radhitjen e LDK-së në sondazhin e fundit ka reaguar edhe deputetja Hykmete Bajrami, duke thënë se realiteti është ndryshe nga rezultatet.

“Mbajeni në mend, sa herë që ka një krizë, qeverisë i vjen një sondazh i ri. Herën e kaluar në ditën e faturave dyfish të energjisë elektrike, këtë herë në periudhën e shpërfaqjes së korrupsionit përmes kontratave sekrete e pazareve në katër sy”.

“Duan të paraqesin një realitet tjetër – fiktiv. Të na thonë se ne jemi vet. Se shumica është me ata – të kënaqur si dikur”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka marr shembull sondazhin për zgjedhjet lokale, sipas të cilit, Arben Vitia dilte i pari e Uran Ismaili i dyti, por në fund zgjedhjet i kishte fituar Pëparim Rama i LDK-së, që renditej i treti.

“Kur flasim për sondazhe kujtoni vetëm pak zgjedhjet lokale. Gjithë ekzaltimin e pushtetit atëherë, gjithë ‘kredibilitetin’ e matësve – një natë para zgjedhjeve. Fundin e dini të gjithë”.

Sondazhet e fundit e radhitin Lëvizjen Vetëvendosje me 49.5 për qind, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), radhitet e dyta me 17.1 për qind dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), radhitet e treta me 16 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore