Lajme

Haxhiu: Po të mos hiqej fletarresti ndaj Radojiçiç, operimi i tij në Veri do të ishte krejt ndryshe


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, i cili konfirmoi se ka qenë ai që ka dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç.

Po të mos hiqej fletarresti ndaj Radojiçiç, sipas Haxhiut, operimi i tij do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në Veri të Kosovës.

“Kur dikujt i hiqet fletarresti praktikisht i bie që diçka ka ndërruar për të mirë, por këtë vit nga ky person që ju hoq fletarresti u organizua tentim-aneksimi i Veriut me 24 shtator 2023 në Banjë të Zveçanit. A e ka të qartë ky kryeprokuror që kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe nuk ka këtu vetëm Pikë?”, ka shkruar ajo.

Kosova, sipas Haxhiut, nuk i përket Prokurorisë, ajo sikur secili institucion duhet t’i shërbej Republikës dhe vullnetit të popullit.

“Ose nëse ka pasur presione nga dikush nga politika asokohe mos le ta ushtrojë detyrën në mungesë guximi sepse kështu e merr në qafë Republikën”, ka shtuar Haxhiu.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, në konferencë për media ka konfirmuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radojiçiç, për arsye që s’mund t’i bëjë publike, sepse janë çështje të ndjeshme të hetimit.

“Unë e kam dhënë pëlqimin, Arsyet nuk mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, janë çështje të hetimit”, ka deklaruar Isufaj, në konferencën e fundvitit të organizuar nga PSRK-ja.

Më 19 shkurt 2021, Prokuroria Speciale kishte kërkuar revokimin e urdhërarrestit ndaj Radoiçiç-it, ndërsa gjykata e kishte aprovuar këtë kërkesë më 23 shkurt 2021.

Urdhërarresti ishte lëshuar në gusht të 2020-ës nën dyshimin se Radojiçiç ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç.

Pse iu hoq urdhërarrestimi Radojiçiç’it – Blerim Isufaj: Janë çështje hetimesh për të cilat s’mund të jap detaje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore