Kosova

Bajrami: LVV është kundër mediave, indeksi i “Reporterëve pa Kufij” është alarmant


Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë një reagim pas publikimit të Indeksit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit nga organizata “Reporterët pa Kufij”.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, Bajrami ka vlerësuar se rënia e Kosovës për 19 vende më poshtë në këtë raport “është një alarm” për këdo që jeton në Kosovë.

Ajo ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje “është kundër mediave dhe secilit që mendon ndryshe”.

Tutje, Bajrami ka shtuar se lufta e pushtetit ndaj medias është “programore, e orkestruar për t’i dëmtuar raportimet dhe zbulimin e skandaleve korruptive të Qeverisë”.

“Tashmë s’ka askush asnjë dyshim se Vetëvendosje është kundër mediave, është kundër secilit që mendon ndryshe, është kundër bizneseve, është kundër qytetarit”, ka shkruar Bajrami në rrjetin social Facebook.

Sipas Bajramit, kjo situatë aktuale është paralajmëruar nga LDK-ja që kur erdhi kjo parti në pushtet.

“Evidentimi i gjendjes së mediave në Kosovë nga ‘Reporterëve pa Kufij’ është konfirmim i asaj që kemi thënë prej ditës së parë të ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet”, ka shkruar ajo.

Në këtë raport të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, Kosova është radhitur e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar kur ishte listuar e 56-ta, duke u përfshirë në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”.

Gazetarët, siç thuhet në raport, vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike.

Kosova shënon regres për 19 vende në indeksin e “Reporterëve Pa Kufij” – gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore